Lidhje

Presidenti Biden denoncon luftën e Rusisë në Ukrainë si "gjenocid"


Presidenti Biden duke folur nga shteti amerikan Ajova (12 prill 2022)

Presidenti Joe Biden shtoi retorikën e tij ndaj Rusisë të martën, duke akuzuar Presidentin rus Vladimir Putin se projektoi një "genocid" në Ukrainë.

"Buxheti i familjes suaj, mundësia për të mbushur serbatorin, asnjë prej këtyre nuk duhet të varet nga nëse një diktator shpall luftë dhe bën gjenocid gjysmë bote larg", tha Presidenti Biden gjatë një vizite në shtetin amerikan Ajova për të njoftuar një program që do të ndihmojë në uljen e çmimit të karburantit.

Ndërsa bisedonte më pas me gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, presidenti amerikan e mbrojti vendimin e tij për t'i quajtur gjenocid veprimet e Rusisë.

"E quajta gjenocid pasi nuk ka qenë kurrë më e qartë se Putini thjesht po përpiqet ta fshijë idenë se dikush mund të quhet ukrainas, dhe evidenca po shtohet", tha Presidenti Biden.

"Le t'i lëmë juristët të vendosin ndërkombëtarisht nëse kualifikohet apo jo, por mua më duket pikërisht kështu", tha ai.

Kremlini reagoi të mërkurën duke thënë se nuk pajtohet kategorikisht me cilësimin si gjenocid nga ana e Presidentit amerikan Joe Biden të veprimeve që Rusia ka ndërmarrë në Ukrainë. Moska akuzoi Uashingtonin për hipokrizi.

"Ne e konsiderojmë këtë lloj përpjekjeje për të shtrembëruar situatën, të papranueshme. Kjo vështirë se mund të pranohet nga një president i Shteteve të Bashkuara, një vend që ka kryer kohët e fundit krime që dihen mirë ”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një konferencë shtypi për gazetarët.

Presidenti Biden e ka kritikuar vazhdimisht Presidentin rus Putin, duke e quajtur atë publikisht "kriminel lufte" dhe duke kërkuar që ai të dalë para drejtësisë pasi u zbulua evidenca për mizoritë në Bucha, një qytet në rrethinat e Kievit. Sipas ligjit ndërkombëtar, gjenocidi lidhet me qëllimin për të asgjesuar tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar.

"Ky njeri është brutal, dhe ajo ç'po ndodh në Bucha është revoltuese, dhe të gjithë e kanë parë", tha në atë kohë Presidenti Biden për Presidentin Putin. "Kjo ka nevojë për... - ai është një kriminel lufte".

Për javë të tëra, zyrtarët perëndimorë dhe ata ukrainas kanë folur për evidencë në rritje të atyre që i quajnë mizori sistematike dhe krime lufte që po kryhen nga forcat ruse ndërsa tërhiqen nga disa pjesë të Ukrainës.

Por, nëse kishte ndonjë shpresë se Rusia mund t'i jepte fund së shpejti sulmit të saj të mbi një muaji e gjysëm në Ukrainë, Presidenti Putin i fiku ato gjatë një fjale në stacionin e nisjeve për në hapësirë, Vostochny, në pjesën e largët lindore të Rusisë.

Udhëheqësi rus tha se lufta do të vazhdojë derisa ushtria të arrinte ato që i quajti objektivat "fisnike" të vendit të tij.

Presidenti rus Vladimir Putin duke mbajtur fjalim në Kozmodromin Vostochny, 12 prill 2022 (Sputnik/Mikhail Klimentyev/Kremlin via REUTERS)
Presidenti rus Vladimir Putin duke mbajtur fjalim në Kozmodromin Vostochny, 12 prill 2022 (Sputnik/Mikhail Klimentyev/Kremlin via REUTERS)

Zoti Putin gjithashtu u zotua se ushtria ruse do të përparonte "me ritëm dhe me qetësi", duke fajësuar Ukrainën për prishje të bisedimeve për paqe.

"I jemi rikthyer një situate pa krye", tha zoti Putin për negociatat, duke shtuar se Rusia nuk ka zgjedhje tjetër përveç se të vazhdojë.

"Shpesh dëgjoj pyetje nëse është e mundur të veprohet më shpejt?", u tha zoti Putin punonjësve të bazës, sipas informacionit të qarkulluar nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

"Është e mundur", shtoi ai. "Varet nga intensiteti i luftimeve".

Pasi iu pengua përparimi drejt kryeqytetit ukrainas, forcat ruse po përqëndrohen tashmë në rajonin lindor Donbas, ku Ukraina njoftoi të martën se po hetonte pretendimin se ishte përdorur një substancë e ndaluar ndaj forcave ukrainase. Megjithëse nuk është ende e qartë se çfarë lloji mund të jetë substanca e përdorur, zyrtarët perëndimorë paralajmëruan se çfarëdolloj përdorimi i armëve kimike nga Rusia do të përbënte një përshkallëzim serioz të një lufte tashmë shkatërrimtare.

Pasi hasi pengesa në arritjen e ambicies së tij të qartë për të pushtuar kryeqytetin ukrainas, Presidenti rus Vladimir Putin tashmë po grumbullon forcat për një ofensivë të re në rajonin lindor të vendit, në Donbas. Ai këmbënguli të martën se fushata e tij do të vazhdojë derisa të arrijë qëllimet e saj. Zoti Putin tha se Rusia nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të niste atë që ai e quan “një operacion special ushtarak” duke shtuar se ajo synonte të mbronte civilët në Donbas, një rajon kryesisht rusishtfolës.

Autokolonat ruse kalojnë nëpër qytetin ukrainas Mariupol (11 prill 2022)
Autokolonat ruse kalojnë nëpër qytetin ukrainas Mariupol (11 prill 2022)

Ndërsa forcat ukrainase po përgatiten për një sulm të ri, zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Maliar tha se ishte e mundur në Mariupol të ishin përdorur municione, që përmbanin fosfor, të cilat shkaktojnë djegie të rënda, por që nuk klasifikohen si armë kimike. Qyteti shtrihet në rajonin e Donbasit dhe për gjashtë javë ka qenë objekt i goditjeve të forta nga trupat ruse që sikurse tha kryebashkiaku i tij, kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 10,000 civilëve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të hënën ne mbrëmje se forcat ruse mund të kenë përdorur armë kimike në qytet, duke i bërë jehonë paralajmërimeve të ngjashme, të përsëritura nga zyrtarët perëndimorë. Po kështu udhëheqës si brenda ashtu edhe jashtë vendit thanë se po hetonin me urgjencë pretendimet e pakonfirmuara nga një regjiment ushtarak ukrainas, se ndaj luftëtarëve në Mariupol ishte përdorur një substancë helmuese.

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss tha se përdorimi i armëve kimike do të ishte një përshkallëzim i mëtejshëm i konflikt ndërsa ministrja e Jashtme australiane Marise Payne tha se do të ishte një shkelje në shkallë të gjerë e ligjit ndërkombëtar.

Përballë rezistencës së ashpër nga forcat ukrainase, të përforcuar nga armët perëndimore, trupat ruse janë mbështetur gjithnjë e më shumë në bombardimin e qyteteve, duke rrafshuar shumë zona urbane dhe duke lënë mijëra njerëz të vdekur. Në zona të tjera ata janë tërhequr për t'u riorganizuar.

Tërheqja e tyre nga qytetet dhe qytezat përreth kryeqytetit, Kievit, çoi në zbulimin e një numri të madh civilësh të masakruar, çka nxiti një zemërim të gjerë ndërkombëtar dhe akuza ndaj Moskës se po kryen krime lufte në Ukrainë.

Inxhinierët ukrainas përpiqen të pastrojnë minat në rrugët e qytetit Bucha ku u gjendën trupa të shumta viktimash (5 prill 2022)
Inxhinierët ukrainas përpiqen të pastrojnë minat në rrugët e qytetit Bucha ku u gjendën trupa të shumta viktimash (5 prill 2022)

Lufta ka detyruar më shumë se 10 milionë ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre, gati dy të tretat e të cilëve fëmijë.

Megjithatë, ekziston frika për akte mizore edhe më të gjera në ditët në vazhdim, mes shenjave se ushtria ruse po përgatitet për një ofensivë të madhe në Donbas. Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes foli të hënën për një autokolonë të gjatë ruse që po udhëtonte drejt qytetit lindor të Izyumit, mbështetur nga forca të artilerisë, aviacionit e këmbësorisë.

Gjatë një vizite në Lindjen e Largët të Rusisë zoti Putin këmbënguli se operacioni ushtarak do të triumfonte dhe se fuqitë e huaja nuk do të kishin sukses në izolimin e Rusisë.

Ai tha se ekonomia dhe sistemi financiar i Rusisë i kanë rezistuar goditjes nga sanksionet perëndimore dhe pretendoi se ato do të jepnin rezultatin e kundërt duke çuar në mungesën e artikujve ushqimorë e rritje të flukseve të migracionit në Perëndim.

Donbasi është goditur rëndë nga luftimet mes separatistëve aleatë të Rusisë dhe forcave ukrainase që nga viti 2014, dhe Rusia ka njohur pretendimet e separatistëve për pavarësi. Ekspertët ushtarakë thonë se udhëheqësit rusë duket se shpresojnë se mbështetja lokale, logjistika dhe terreni në rajon favorizojnë ushtrinë më të madhe dhe më të armatosur të Rusisë, duke u dhënë trupave të saj mundësinë të ndryshojnë rrjedhën e zhvillimeve në favor të tyre.

Duke folur mbi një betejë që po ndodhte rreth një fabrike çeliku në Mariupol, një zyrtar separatist, aleat i Rusisë, u duk se nxiti përdorimin e armëve kimike të hënën, duke thënë në televizionin shtetëror rus se forcat separatiste duhet ta merrnin nën kontroll fabrikën duke bllokuar fillimisht të gjitha daljet.

Por Eduard Basurin u citua nga agjencia e lajmeve Interfax të martën të ketë thënë se forcat separatiste nuk kanë përdorur asnjë armë kimike në Mariupol.

Ishte regjimenti ukrainas që mbronte fabrikën që pretendoi se një dron kishte hedhur një substancë helmuese në qytet, por shtoi se nuk bëhej fjalë për lëndime serioze. Pohimi i Regjimentit të Azovit, një grup i ekstremit të djathtë tashmë pjesë e ushtrisë ukrainase, nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Zonja Truss tha se Mbretëria e Bashkuar po punonte urgjentisht për të hetuar rreth njoftimeve, ndërsa zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha në një deklaratë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të konfirmonin këtë njoftim.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby duke folur gjatë informimit për gazetarët (11 prill 2022)
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby duke folur gjatë informimit për gazetarët (11 prill 2022)

Por zoti Kirby vuri në dukje shqetësimet e vazhdueshme të administratës mbi potencialin e Rusisë për të përdorur në Ukrainë një sërë substancash, përfshirë gazin lotsjellës të përzier me agjentë kimikë. Britania, ndërkohë, ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë bomba fosfori në Mariupol, përdorimi i të cilave në zonat civile është i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar.

Ky qytet është ndeshur me disa nga sulmet më të rënda që kanë shkaktuar vuajtje tek popullata civile. Nga ana tjetër sulmet tokësore, detare dhe ajrore nga forcat ruse që luftojnë për të marrë kontrollin e Mariupolit, e kanë kufizuar gjithnjë e më shumë mundësinë për të marrë informacion rreth asaj që po ndodh brenda qytetit.

*Artikulli përmban materiale nga agjensia e lajmeve Associated Press.

XS
SM
MD
LG