Lidhje

Kosovë, debat i ashpër parlamentar për politikën e jashtme


Në një debat parlamentar në Kosovë, partitë opozitare kritikuan qasjen e qeverisë ndaj politikës së jashtme, duke nënvizuar se ajo ka dëmtuar pozicionin e Kosovës dhe marrëdhëniet e saj ndërkombëtare. Por Kryeministri Albin Kurti, thotë se politika e jashtme ka shënuar përparim në krahasim me gjendjen në të cilën e kishte gjetur në fillim të mandatit.

Partitë opozitare në Kosovë kritikuan të martën me tone të ashpra qeverinë e vendit, për siç thanë, pezullimin e politikës së jashtme dhe dëmtimin e marrëdhënieve me aleatët kryesor të saj.

Kosovë, debat i ashpër parlamentar për politikën e jashtme
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha gjatë debatit parlamentar mbi politikën e Jashtme se kjo situatë ka dëmtuar pozicionin e Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me botën perëndimore.

“Që nga themelimi i shërbimit diplomatik të Kosovës e deri në ardhjen në pushtet të qeverisë Kurti, nuk ka pasur dobësim dhe degradim më të madh të këtij shërbimi. Shkarkimi i pamenduar dhe i menjehershëm i ambasadorëve të Kosovës në qendrat kryesore botërore, pa e gjetur zëvendësimin e menjëhershëm të ambasadorëve të rinj, ka krijuar jo vetëm vakum të Kosovës në këto qendra por edhe ka krijuar mosbesim me këto shtete”, tha ai.

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike, tha se në vitin e parë të qeverisë Kurti, Kosova nuk ka shënuar asnjë përparim në konsolidimin e shtetësisë së saj.

“Nuk kishte asnjë njohje, asnjë anëtarësim dhe asnjë zhvillim të rëndësishëm në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Por, kishte mjaft gabime të bartësve të institucioneve dhe këto gabime ndoshta do të ishin të kuptueshme para 14 vjetëve kur filloi ndërtimi i diplomacisë së Kosovës, por jo tani kur ka ambasadorë e diplomat me përvojë”, tha ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se qeveria aktuale ka dëmtuar edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Si ndodhë të jesh kundër Amerikës? Mos harroni se jemi duke e harxhuar kohën tonë dhe kreditë e krijuara nga ata që nuk janë më në jetë, është duke i harxhuar qeveria Kurti. Po abuzohet me durimin, pasionin e aleatëve kryesorë të sigurisë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në fakt qeveria e tij e ka gjetur politikën e jashtme në gjendje shumë më të rëndë.

“Pas një viti kemi një situatë rrënjësisht tjetër. Republika e Kosovës ka një përfaqësim dinjitoz dhe ka shkëputur shërbimin e jashtëm nga inferioriteti i qeverisjeve të kaluara në skenën ndërkombëtare. Kemi thelluar raportet me partnerët tanë, Kosova ishte pjesëmarrëse dhe nikoqire e ushtrimeve ushtarake të NATO-s “Defender Europe 21”, i dolëm në ndihmë partnerit tonë kryesor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke strehuar një mijë e 449 refugjatë afganë dhe kemi hapur dyert për 5 mijë rfugjatë e 20 gazetarë ukrainas”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se derisa politika e jashtme vazhdon të sfidohet nga një fushatë e ashpër e Serbisë kundër njohjes së Kosovës, vendi ka arritur të përafrojë marrëdhëniet, siç tha ai, me një numër të konsiderueshëm të vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG