Lidhje

PD, përplasje Berisha - Alibeaj në mbledhjen e grupit parlamentar


Në Shqipëri mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike është shoqëruar me debate mes deputetëve që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha dhe pjesës tjetër.

Zyrtarisht zoti Berisha nuk është pjesë e grupit të Partisë Demokratike. Por që pas dorëheqjes së ish kryetarit Lulzim Basha, dhe marrjes së kontrollit të selisë, ai për herë të dytë iu bashkua mbledhjes së deputetëve. Ashtu si dhe herën e parë, mes tij dhe kreut të grupit Enkelejd Alibeaj, mësohet që dhe sot, të ketë patur shkëmbime replikash të forta.

Ish kryeministri e ka cilësuar të papranueshëm ankimimin nga ana e zotit Alibeaj të vendimit të Gjykatës së Tiranës që njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit. Zoti Berisha madje ka kërkuar dorëheqjen e zotit Alibeaj, duke e akuzuar atë se po punon kundër partisë për interesat e ish kryetarit Basha.

Ai deklaroi se “qenia e tij si kryetar i grupit, ndonëse me probleme statutore, u pranua me një marzh tolerance”, por “pas vendimit të tij për të paditur PD-në, për llogari të Qeverisë, ai për mua pushon së qeni kryetar i grupit. Padia s’ka asnjë bazë”, u shpreh zoti Berisha.

Zoti Alibeaj nga ana e tij, e ka akuzuar ish kryeministrin se ka pushtuar selinë e PD dhe se sipas tij vendimi i gjykatës ka qenë i paligjshëm dhe prandaj do duhet të pritet vendimi i Apelit. Në krah të tij ka dalë dhe deputeti Gazmend Bardhi. “Ka patur sot një shantazh, kërcënim e sulm të parapërgatitur nga zoti Berisha dhe një pjesë e kolegëve, vetëm se kryetari i grupit mendon ndryshe nga zoti Berisha”. Ai deklaroi gjithashtu se “për shkak të shpalljes “non grata” sot PD ka një kompleks të madh me veten” pasi sipas tij PD heshti ndaj vendimit të djeshëm të Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione ndaj ish deputetit Aqif Rakipi. “SHBA pranoi se krimi i organizuar bleu vota për llogari të Ramës. Në dy godina ka rënë heshtja, në selinë e PS dhe në godinën qëndrore të PD-së. Heshtjen në PS e kuptoj, por nuk arrij dot të kuptoj heshtjen e PD-së” u shpreh ai.

Diskutimet në mbledhjen e grupit kanë nisur që në orën 13.00 duke patur në fokus rrugët për të shkuar drejt bashkimit. Por sipas zotit Bardhi, “nuk mund të ecet përpara duke folur për bashkimin me fjalë, ndërsa me akte vijohet me nisma të njëanshme”, duke ju referuar proceseve për zgjedhjen e kryetarëve lokalë të PD-së apo dhe thirrjes më 30 prill të Kuvendit të partisë, nga ana e ish kryeministrit dhe mbështetësve të tij. “Shumica dërrmuese e anëtarëve të grupit ka ngritur me shqetësim ecjen përpara në mënyrë të njëanshme që çon në përçarjen përfundimtare të PD”, theksoi zoti Bardhi.

Në përfundim të mbledhjes palët thanë se kishin rënë dakort që deputetët të ofronin brenda të mërkurës propozime të tyre, por duket se ato ndahen qartazi për shtrirjen në kohë të procesit të strukturimit, të cilin Komisioni i rithemelimit e ka nisur dhe kërkon ta finalizojë brenda muajit.

“Një proces i njëanshëm nuk të çon në bashkim. Ky bashkim duhet të realizohet në bazë të një procesi organizimi të përbashkët, ku e gjithë anëtarësia të përfshihet e të mos ketë përjashtime. Ku dhe votimi i riorganizmit të nisë nga qeliza, që është seksioni, e më pas te grup-seksioni dhe tek degët, me qëllimin e mirë që ajo që quhet strukturë e PD të jetë e plotë”, deklaroi pas mbledhjes kryetari i grupit parlamentar, Alibeaj.

Por ndërsa një proces i tillë do të kërkonte një kohë të gjatë, për ish kryeministrin Berisha, shtyrja “për një kompleks rrethanash është absolutisht e pamundur, por koha që kemi në dispozicion për të verifikuar çdo gjë, për të respektuar çdo gjë që është sipas statustit, dhe korrigjuar çdo gjë që është në shkelje të tij”, u shpreh ai.

XS
SM
MD
LG