Lidhje

Presidenti Biden lejon qasjen tek të dhëna shtesë nga presidenca Trump

Presidenti Joe Biden ka autorizuar lëshimin e të dhënave shtesë nga koha e presidencës së Donald Trumpit, për komisionin e Kongresit që po heton sulmin e vitit të kaluar ndaj Kapitolit, sipas një letre zyrtare që u bë publike të mërkurën.

Në letër, kreu i Arkivës Kombëtare David Ferriero, tha se zoti Biden nuk kishte pranuar të përdorte një kompetencë presidencial të njohur si privilegj ekzekutiv për t’i mbajtur konfidenciale të dhënat e zotit Trump.

Letra është në përputhje me deklaratat e mëparshme të presidentit Biden se është në interesin e vendit që Kongresi të ketë qasje tek të dhënat e Shtëpisë së Bardhë gjatë kohës së presidencës Trump në lidhje me ngjarjet e 6 janarit 2021.

Në letrën e Ferrieros thuhej se Arkivi Kombëtar i Shteteve të Bashkuara do t'ia dorëzojë komisionit të dhënat më 28 prill.

Arkiva Kombëtare, një agjenci federale ku ruhen të dhënat presidenciale, i ka dorëzuar tashmë qindra faqe dokumentesh Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që heton sulmin e 6 janarit 2021.

Ish-presidenti Trump dhe aleatët e tij janë përpjekur të bllokojnë qasjen tek dokumentet dhe dëshmitarët. Zoti Trump ka kërkuar që të pëdorë privilegjin ekzekutiv, i cili mban konfidenciale disa komunikime të brendshme të Shtëpisë së Bardhë.

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara refuzoi në janar një kërkesë të zotit Trump për të bllokuar lëshimin e një numri të dhënash të Shtëpisë së Bardhë të kërkuar nga komisioni i Kongresit.

Vetëm një nga nëntë anëtarët e gjykatës, gjyqtari konservator Clarence Thomas, vuri në dukje publikisht mosmarrëveshje me vendimin.

Komiteti i Përzgjedhur ka thënë se i duhen të dhënat për të kuptuar çdo rol që Trump mund të ketë luajtur në nxitjen e dhunës që u shpalos më 6 janar 2021. Mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin në një përpjekje të dështuar për të parandaluar Kongresin që të certifikonte zgjedhjet presidenciale të Bidenit në 2020 fitore zgjedhore ndaj Trump.

This item is part of
XS
SM
MD
LG