Avionët luftarakë të Rusisë bombarduan Lvivin dhe Kievin të shtunën, ndërsa Moska vuri në jetë planin e saj për të kryer më shumë sulme me raketa mbi qytetet ukrainase pas fundosjes së luftanijes së saj “Moskva” në Detin e Zi.
Në qytetin e rrethuar të Mariupolit, skena e luftimeve më të ashpra në Ukrainë dhe e katastrofës më të rëndë humanitare, trupat ruse vazhduan avancimin e tyre, me shpresën për të kompensuar dështimin e tyre në zonat rreth Kievit.
Ministria ruse e mbrojtjes tha të shtunën se kishte "pastruar" të gjithë zonën urbane të Mariupolit nga forcat ukrainase dhe kishte bllokuar disa luftëtarë në fabrikën e çelikut Azovstal.
Zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes Igor Konashenkov, i cili u citua nga agjencia e lajmeve RIA, tha se që nga 16 prilli, forcat ukrainase në qytetin port të rrethuar kishin humbur më shumë se 4,000 njerëz.
Moska tha se avionët e saj kishin goditur një fabrikë të riparimit të tankeve në Kiev, ku u dëgjua një shpërthim i fortë dhe u panë shtëllunga tymi në lagjen juglindore të Darnytskyit.
Ushtria e Ukrainës tha se avionët luftarakë rusë që u ngritën nga Bjellorusia kishin bombarduar edhe qytetin e Lvivit pranë kufirit polak, ku katër raketa u interceptuan nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.
Në Mykolaiv, një qytet tjetër afër frontit jugor, Rusia tha se kishte goditur një fabrikë të riparimit të automjeteve ushtarake.
Sulmet me bomba dhe raketa pasuan njoftimin e Rusisë të premten se ajo do të intensifikonte sulmet raketore në shenjë hakmarrjeje për aktet e paspecifikuara të "sabotimit" dhe "terrorizmit", disa orë pasi konfirmoi fundosjen e luftanijes së saj “Moskva”, në Detin e Zi.
Kievi dhe Uashingtoni thonë se anija u godit nga raketat ukrainase, një demonstrim i qartë i suksesit ushtarak të Ukrainës kundër një armiku shumë më të armatosur. Moska ka thënë se luftanija e saj u fundos pas shpërthimit të një zjarri në bordin e saj.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se 2,500 deri në 3,000 trupa ukrainase janë vrarë në shtatë javë luftë me Rusinë dhe rreth 10,000 vetë janë plagosur, por nuk bëri të ditur ndonjë shifër mbi viktimat mes popullatës civile.
Në një intervistë të premten për rrjetin televiziv CNN zoti Zelenskyy tha se 19,000 deri në 20,000 ushtarë rusë ishin vrarë në luftë. Moska bëri të ditur muajin e kaluar se 1,351 ushtarë rusë ishin vrarë dhe 3,825 të tjerë ishin plagosur.
Rusia tha të premten se të intensifikojë sulmet ndaj Kievit si dhe njoftoi se kishte përdorur raketa me vetëdrejtim për të goditur fabrikën Vizar që ndodhet në afërsi të Kievit, për të cilën tha se prodhonte dhe riparonte raketa.
Sulmi pasoi fundosjen e luftanijes kryesore të flotës ruse në Detin e Zi. Ukraina tha se një prej raketave të saj kishte shkaktuar fundosjen e luftanijes.