Lidhje

Blerësit në Evropën Qendrore përballen me çmimet e papërballueshme të banesave


Tregu i banesave në Republikën Çeke

Çmimet e larta të banesave në qytetet e Evropës Perëndimore si Londra, Parisi ose Hamburgu, janë diçka e njohur. Por në fakt janë vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore ato ku hendeku mes ketyre çmimeve dhe rrogave që janë shumë më të ulëta sesa në Perëndim, është më i thellë.

Tregu i banesave Republikën Çeke ka çmimet më pak të përballueshme në Evropë. Për të blerë një apartament 70 metra katror duhen mesatarisht 12.2 pagash bruto vjetore, sipas të dhënave të kompanisë Deloitte për vitin 2021.

Në Gjermani mund të përballosh të blesh një apartament me gjashtë paga mesatare, ndërsa në Norvegji 5.1. Po ashtu çmimet e banesave çeke u rritën 22% nga tremujori i tretë I vitit 2020 në të njëjtën periudhë në vitin 2021, rritja më e shpejtë në Bashkimin Evropian sipas të Eurostatit.

"Veçanërisht në Pragë, personat me të ardhura të ulëta janë plotësisht jashtë tregut, nuk mund të përballojnë më të blejnë banesa. Por tani ka vështirësi edhe klasa e mesme, madje edhe ata me nivel më të lartë të ardhurash. Prandaj ata që punojnë si mësues, police, zjarrfikës ka gjasa që sot nuk përballojnë dot asnjë lloj apartamenti në Pragë”, thotë Vit Hradil, kryeekonomist në firmën çeke investimeve, “Cyrrus”.

Kjo rritje drastike po ndodh edhe në qytete të tjera çeke dhe vende të tjera të Evropës Qendrore. Në Hungari që nga viti 2010, çmimet e shtëpive janë dyfishuar.

Në qendër të kryeqytetit të Polonisë, Varshavë, çmimi mesatar për metër katror shkon në rreth 4,000 Euro krahasuar me 3,770 Euro në Bruksel, ku paga mesatare mujore neto është pak më shumë se dyfishi i pagës në kryeqytetin polak, sipas faqes së internetit Numbeo, që krahason kostot e jetesës.

Një problem tjetër në Pragë është periudha e gjatë e pritjes për lejet e ndërtimit, ndërkohë që numri i pallateve është i kufizuar.

Rritja e çmimeve është nxitur gjithashtu në të gjithë rajonin nga rritja e shpejtë e pagave dhe një periudhë e qëndrueshme e normave të ulëta të interesit, para se të rriteshin së fundmi, të cilat i bënë kreditë më të përballueshme dhe nxitën kërkesën për prona për investime.

Rritja e normave të interesit pas pandemisë në Evropën Qendrore, i ka rrritur kostot e hipotekave në nivelet më të larta që nga recesioni global 2008/09.

"Doja të blija një pronë dhe ta paguaja një pjesë vetë dhe pjesën tjetër të merrja në kredi. Nuk e kërkova menjëherë kredinë për të pare se si do shkonin çmimet. Pastaj normat e interesit u rritën dhe banka më ofroi një kredi shumë më të vogël. Këshuqë nuk e përballoja dot më pronën që doja në Pragë”, thotë Petr Bulan, ekspert në kompaninë “Century 21 Ruby”.

Banka qendrore e Hungarisë tha në janar se do të vazhdojë rritjen e normave për të frenuar inflacionin. Polonia - ekonomia më e madhe e Evropës në zhvillim - rriti sërish normat të martën, dhe la të kuptohet se do të ketë rritje të mëtejshme.

Zyrtarët po përpiqen të gjejnë mekanizma për të ndihmuar blerësit për herë të parë që të përballojnë çmimet në rritje, por numri i kufizuar i banesave në dispozicion e vështirëson një gjë të tillë.

Kryebashkiaku i Pragës Zdenek Hrib i tha agjencisë Reuters se bashkia po përqendrohet tek rindërtimi i banesave me kosto të ulët për të rritur ofertën dhe për të përdorur një pjesë të tyre për punonjësit e sektorëve kritikë, mësuesit, oficerët e policisë dhe punonjësit socialë.

XS
SM
MD
LG