Lidhje

Rrezikimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore nga ndryshimet klimatike


Rrezikimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore nga ndryshimet klimatike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00

Vërshimet e shpeshta të Lumit Buna, si rezultat i ndryshimeve klimatike ndër vite, vazhdojnë të dëmtojnë një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, manastirin që i kushtohet Shën Gjergjit dhe Bakut, në fshatin Shirgj të Nënshkodrës. Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve, që këtë vit i kushtohet ndikimit të ndryshimeve klimatike tek monumentet e kulturës, ekspertët e mjedisit dhe monumenteve kulturore zgjodhën rrënojat e këtij manastiri për të ndërgjegjësuar komunitetet lokale dhe strukturat shtetërore për një vëmendje më të madhe ndaj ndikimit të njeriut në ndryshimet klimatike.

Helidon Sokoli, eksperti i monumenteve të trashëgimisë kulturore thotë se manastiri i Shën Gjergjit të Bakut është dëshmi e ndikimit të ndryshimeve klimatike në rajon:

Vetë pozita gjeografike, ku ndodhen rrënojat e manastirit të Shën Gjergjit të Bakut në Shirgj janë gjithmonë në rrezikshmëri nga vërshimet e lumit Buna, ndryshimet klimatike, ndryshimet e regjimit të reshjeve. Problematika natyrore dhe klimatike ka ndikuar edhe në gjendjen e konservimit të këtij monumenti. Sot jemi në ditët kur kemi vetëm fasadën jugore të manastirit në këmbë, sepse pjesa tjetër është marrë vit pas vit nga vërshimet e lumit Buna”.

Eksperti i monumenteve të trashëgimisë kulturore Helidon Sokoli, thotë se, prej vitesh, një numër monumentesh të rëndësishme kulturore dhe natyrore po dëmtohen për shkak të ndryshimeve klimatike në territor. Ndaj, sipas tij, zvogëlimi i ndikimit të veprimtarisë së njeriut tek klima, do të ndihmonte në jetëgjatësinë e monumenteve, duke frenuar edhe degradimin e tyre.

Ndryshimet klimatike po reflektohen gjithnjë e më shumë në devijimin e vijës bregdetare dhe shtretërve të lumejve, duke rrezikuar edhe një numër monumentesh të trashëgimisë kulturore që gjenden në afërsi të tyre. Profesori i gjeografisë, Ervis Krymi, sjell shembullin e ndikimit të ndryshimeve klimatike në grykëderdhjen e lumit Buna, në afërsi të të cilës gjendet edhe manastiri i Shën Gjergjit e Bakut.

“Rasti i baticë-zbaticave në Shëngjin ishte një fenomen mjaft interesant. Por erozioni ka ndikuar shumë, sidomos në grykëderdhjen e Bunës. Ka një ndryshim, një dinamikë jashtëzakonisht të madhe në grykëderdhjen e Bunës apo në sektorë të shumtë të bregdetit të Adriatikut. Dhe kjo shikohet shumë mirë po të merren parasysh hartat e mëparshme topografike, duke i krahasuar me imazhet satelitore, duke i lidh me autofotot. Kështu del evolucioni i vijës bregdetare të Adriatikut”.

Në Shqipëri, një numër i madh monumentesh të kulturës gjenden në mjedise të hapura, ku ndikimi i ndryshimeve klimatike dhe veprimtarisë njerëzore, është edhe më i madh, gjë që rrezikon të ardhmen e këtyre monumenteve.

XS
SM
MD
LG