Lidhje

Sanksionet e SHBA-së ndaj ish deputetit Rakipi, PS: I biri nuk ka përgjegjësi


Partia Socialiste është e mendimit se nuk ka asnjë lidhje mes deputetit të tyre Ornaldo Rakipi dhe babait të tij, ish deputeti Aqif Rakipi, të cilin Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) e përcaktoi në listën e personave që “kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese”, duke parashikuar sanksione financiare ndaj tij.

“Nëse ka diçka që ne si familje politike dallohemi nga të tjerët është se kurrë nuk kemi përdorur standarde të dyfishta. Qëndrimi ynë është i njëjtë gjithmonë dhe ne i respektojmë vendimet e Shteteve të Bashkuara, aleatit tonë strategjik”, mësohet të jetë shprehur kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, një deklaratë që duket se tenton të shfrytëzojë faktin që sanksionet kanë përfshirë vetëm ish deputetin. Për pasojë, siç është bërë e zakonshme në rastin edhe të figurave socialiste me probleme me drejtësinë, edhe këtë herë mësohet të jetë përdorur formula se “përgjegjësia është individuale”.

Kur më 11 prill, Departamenti i Thesarit njoftoi vendimet e tij, deputetëve socialist ju kërkua që të shmangnin komentet, në pritje të kthimit nga Gjermania të kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, gjithashtu nuk ju përgjigj pyetjeve rreth kësaj çështjeje, që ju drejtuan nga gazetarët shqiptarë që e shoqëronin. “Të vijmë deri në Berlin për të folur për kandidatin e Partisë Socialiste në Tiranë më duket pak e sforcuar kështu që kalojmë te pyetja tjetër”, ishte përgjigja e zotit Rama, i cili mësohet të mos jetë shprehur as në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar.

Ornaldo Rakipi, 28 vjeç, u përfshi në listat e kandidatëve socialistë për Tiranën, në zgjedhjet e 25 prillit ku në mënyrë surprizë, mundi të zgjidhej deputet falë një numri të lartë votash personale që arriti të mbledhë. Pa asnjë eksperiencë të dalluar politike, përfshirja në lista dhe rezultati që arriti, duket se i detyrohet pikërisht lidhjeve të babait të tij, i cili në zgjedhjet e 25 prillit mbështeti socialistët, veçanërisht në zonën e Elbasanit, ku në listat e kandidatëve të kësaj partie ishte dhe një tjetër emër me lidhje familjare me të, që po ashtu u zgjodh deputet.

Në vendimin e Departamentit të Thesarit zoti Aqif Rakipi cilësohet si “një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike”, vë në dukje deklarata, duke shtuar se “Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një grup krimi të organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit. Për shembull, Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë”.

Gjatë një diskutimi në parlament Ornaldo Rakipi deklaroi se “sa i takon aktit të Departamentit të Thesarit, im atë po ndërmerr çdo hap institucional dhe ligjor, për të çuar në vend këtë padrejtësi. Ne sigurisht e vlerësojmë administratën amerikane, dhe vendimi i tyre e ka dhënë vetë mundësinë e apelimit. Procedurë që tashmë është në rrugë e sipër”.

Ndaj qëndrimit të sotëm të socialistëve reagoi kryetari i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, sipas të cilit “e sotmja ishte prova e radhës se Edi Rama e ka të pamundur të ndahet nga non gratat sepse vetëm falë tyre ai arrin të mbajë karrigen e kryeministrit. Vendimi i sotëm i grupit parlamentar të PS është qartas dëshmi e pushtetit dhe pengmarrjes që klubi i nongratave ka në politikën shqiptare. PD e ka denoncuar kohë më parë përfshirjen e Aqif Rakipit në procesin e blerjes së votave. Ky fakt i konfirmuar dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit nuk arrit ta bindë Edi Ramen dhe deputetet e tij se votat e blera për llogari të të birit duhet të jenë një alarm për ecurinë normale të parlamentarizmit”, shkroi zoti Alibeaj në një postim në Facebook.

XS
SM
MD
LG