Lidhje

Raporti i “Freedom House”, intervistë me autorin e kapitullit të Shqipërisë


Raporti i “Freedom House”, intervistë me autorin e kapitullit të Shqipërisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:08 0:00

Raporti i “Freedom House”, intervistë me autorin e kapitullit të Shqipërisë

Organizata prestigjioze Freedom House, botoi të mërkurën raportin e përvitshëm “Vendet në Tranzicion”, që bën vlerësimin e 29 vendeve ish komuniste, në një rajon gjeografik nga Evropa Lindore në Azinë Qendrore.

"Vendet në Tranzicion" është botuar për herë të parë në vitin 1995 dhe vit pas viti analizon ecurinë e këtyre vendeve, sipas disa kategorive kryesore, që përbëjnë shtyllat e një sistemi demokratik, si qeverisja demokratike, korniza ligjore dhe pavarësia e gjyqësorit, shtypi i lirë, shoqëria civile dhe përhapja e korrupsionit.

Pas rënies së komunizmit, shpresat për ish vendet komuniste ishin të mëdha, por sot shihet se në shumë prej tyre janë bërë hapa pas. Sipas gjetjeve të raportit “Vendet në Tranzicion”, për herë të parë këtë vit, dominon sistemi hibrid i qeverisjes, në të cilin kanë rënë edhe katër vende të tjera, Hungaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Shqipëria ka vite që është klasifikuar si regjim hibrid.

Intervistë me autorin e kapitullit të Shqipërisë, Andi Hoxhaj, nga Fakulteti Juridik i Universitetit Warwick, në Angli.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoxhaj, cilat janë gjetjet kryesore për Shqipërinë, që çojnë në përfundimin se Shqipëria është një sistem hibrid, ose e thënë ndryshe, demokraci vetëm me fjalë, por që nuk respekton ligjet.

Andi Hoxhaj: Viti 2021 ishte një vit i shkëlqyer për ne për të skanuar situatën e demokracisë në Shqipëri, për shkak të zgjedhjeve që patëm. Ne, siç ju parashtruat, analizuam situatën në Shqipëri në bazë të shtatë shtyllave, që ne i konsiderojmë, që janë në një demokraci liberale dhe për fat të keq pamë disa raste që Shqipëria binte dhe qëndronte në atë kategori, që është një demokraci hibride. Do të theksoja si diçka goxha shqetësuese, përsa i përket vitit që kaloi, ishte informimi në media. Gjithashtu edhe në raste të tjera, sikurse pamë gjatë fushatës, kishte një gjuhë urrejtje dhe përçmuese. Gjithashtu vërejtëm edhe disa raste të tjera, ku shikonim që raportohen abuzime të njerëzve në pushtet dhe të korrupsionit, por ka një farë hezitimi. Këto ishin disa prej shembujve dhe në raport kemi parë cilësinë e demokracisë në përgjithësi në shoqëri dhe jo vetëm të qeverisë, apo të partive politike por të gjithë sistemit.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri ju theksoni se dominon një sistemi politik klientelist. Çfarë nënkupton kjo?

Andi Hoxhaj: Në gjetjet që ne patëm pas studimeve dhe intervistave gjithashtu me shumë aktorë të ndryshëm, na raportonin, që ka një lidhje të ngushtë klientelizmi të partive, që do të thotë, që njerëzit nuk aderojnë në partitë politike sepse janë të djathtë, të majtë, apo liberalë e konservatorë e kështu me radhë, por i shikojnë partitë politike, si një mjet për të përfituar, qofshin ato në vende pune, qofshin në tendera, e kështu me radhë. Pra shikojmë që ka një lidhje klienteliste. Sigurisht, që ka edhe lidhje të tjera, që kanë të bëjnë me korrupsionin e përtej, por marrëdhëniet që ka populli në këtë mes me partitë politike, është e bazuar kryesisht në formë klienteliste dhe nuk ka të bëjë shumë se aderojnë, sepse kanë bindje të majta ose të djathta.

Zëri i Amerikës: Në raport theksohet, se synimi i politikave të ShBA dhe BE, është që në Shqipëri të kenë "një partner, që u përmbahet normave demokratike dhe jo udhëheqës problematikë, që prodhojnë kriza politike artificiale për të cilat SHBA-ja dhe BE-ja më pas thirren të ndërmjetësojnë”. Por në Shqipëri vitet e fundit, përpjekjet e Uashingtonit dhe Brukselit, kanë filluar të kritikohen si ndërhyrje në punën e brendshme. Si e shpjegoni ju këtë?

Andi Hoxhaj: Shqipëria kërkon që të avancojë në Bashkimin Evropian dhe ne, siç e kemi cituar, dhe kjo ishte nga bisedat që patëm me shumë aktorë të ndryshëm, është se shikojmë që Shqipëria duhet që të marri përgjegjësitë e saj për të qënë një demokraci e shëndetshme, por hera-herës shikon që të krijojë kriza artificiale, që nuk kanë lidhje shumë me situatën. Prandaj këto direktiva dhe këto shtytje, që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, janë për t’i nxitur partitë politike që të reformohen dhe që të ndjekin linjën e një demokracie liberale, ku ne të marrim përgjegjësitë tona për të gjitha problemet dhe jo hera-herës të kërkojmë ndërkombëtarët për të zgjidhur disa nga krizat tona, kur në ditët e sotme, kur kemi dhe luftën në Ukrainë, madje mund të shikoni edhe si shumë qesharake disa nga premtimet që partitë politike bëjnë.

Zëri i Amerikës: Një nga shtyllat e demokracisë është shtypi i lirë, por në Shqipëri, ndonëse shtypi është i lirë, ju vini në dukje mes të tjerash, se "përmbajtja e shtypit vijoi të përkeqësohej në vitin 2021, me një rritje të numrit të emisioneve televizive, që kryesisht ndajnë opinione të pabazuar në prova, ose fakte të verifikueshme", çka mund të kuptohet edhe si përhapje lajmesh te rreme. Sa shqetësues është ky fenomen?

Andi Hoxhaj: Në studimin e Freedom House në të 20 vendet që janë demokraci në tranzicion, pamë që ky ishte një trend në të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë. Por patëm rastin që në dy vitet e fundit duke qënë se ishte situata e Covid-it po shikonim, që ky fenomen ishte në rritje dhe kjo është goxha shqetësuese, sepse dëmton cilësinë e demokracisë dhe në qoftë se kemi çdo opinion të bazuar në opinion dhe jo në baza dhe fakte, apo në shkencë, kjo vetëm e dëmton demokracinë dhe gjithashtu krijon mosbesim tek institucionet, që duhet ta mbrojnë demokracinë. Kjo është shqetësuese dhe unë shpresoj, që të ketë një reflektim përsa i përket këtyre ndarjeve, që u bëhen thjesht opinioneve të pa bazuara në fakte, sepse ka një risk të jashtëzakonshëm përsa i përket cilësisë dhe nivelit të demokracisë dhe është shqetësuese për të gjitha vendet që ne pamë po edhe në rastin e Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG