Lidhje

Shqipëri, bisedimet e para për presidentin e ri, shtyhet nisja e procesit


Në Shqipëri, u zhvilluan të mërkurën takimet e para mes përfaqësuesve të shumicës socialiste dhe atyre të opozitës për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Ballaj tha se kishte biseduar me përfaqësuesit e grupit “Aleanca për ndryshim”, i drejtuar nga zoti Fatmir Mediu dhe me kryetaren e grupit “Demokraci dhe integrim”, Mesila Doda. Takimi me kryetarin e grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, u shty për shkak se demokratët nuk e zhvilluan mbledhjen e parashikuar të grupit të tyre.

Bisedimet e së mërkurës pasdite sollën një dakortësi të parë mes palëve. Socialistët pranuan propozimin e grupeve të opozitës për të shtyrë me të paktën një javë datën e thirrjes së konferencës së kryetarëve, që shënon dhe nisjen zyrtare të procesit, prej nga llogaritet më pas dhe organizimi i votimit të parë. Mbledhja e kryetarëve mund të thirret në datat 4-6 maj, dhe votimi i parë mund të realizohet në datat 10-11 maj, sipas dakortësisë që do mund të arrihet dhe me zotin Alibeaj.

Sipas përfaqësuesit socialist Balla, me opozitën do të bisedohet dhe për të gjetur një dakortësi mbi kriteret që do të duhet të përmbushin kandidatët për kreun e ardhshëm të vendit, dhe më pas të diskutohet mbi emra konkretë. Socialistët nga ana e tyre kanë nisur një proces të brendshëm, duke mbledhur propozime nga deputetët e tyre, ndërkohë që presin propozime dhe nga qytetarët.

Në pamje të parë duket sikur po ecet drejt përpjekjeve për një bashkëpunim mes palëve në këtë proces. Për zgjedhjen e presidentit zhvillohen 5 raunde votimi. Në tre të parat kërkohet një shumicë e cilësuar me tre të pestat e të gjithë deputetëve, ndërsa në dy raundet e fundit Kreu i shtetit zgjidhet me shumicë të thjeshtë, gjë që i jep mundësinë socialistëve të mund të zgjedhin edhe të vetëm. Për zotin Mediu, Kushtetuta imponon një zgjedhje konsensuale dhe hapësira që në dy raundet e fundit, zgjedhja të bëhet me shumicë të thjeshtë, përbën vetëm një mekanizëm për të shmangur krizat.

Zoti Mediu ka propozuar që opozita të përfshihet në proces me një përfaqësi të vetme. Por grupi i Partisë Demokratike nuk ka marrë ende një vendim. Madje kjo çështje rrezikon të kthehet në në tjetër motiv përplasjesh. Ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij janë shprehur hapur kundër përfshirjes në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Të mërkurën në mbrëmje, përmes një postimi në Facebook ai foli për një farsë, duke sulmuar haptazi kreun e grupi demokrat Enkelejd Alibeaj, të cilin ai ka deklaruar më herët se nuk e njeh si drejtues të deputetëve të PD-së: “Negociata me opozitën e emëruar apo Basho-opozitën mbasi e ka të qartë se opozita e vërtetë nuk do merrte pjesë kurrë në një farsë vulgare, qesharake dhe mafioze me të cilën Edi Rama do realizojë pushtetin absolut në Shqipëri”, shkruajti zoti Berisha.

XS
SM
MD
LG