Lidhje

Pentagoni minimizon provën me raketë të re balistike të Rusisë


Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby minimizoi provën e Rusisë me një raketë të re balistike ndërkontinentale, për të cilën Kremlini thotë se do të jetë në qendër të strategjisë së tij bërthamore.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan raketën “Sarmat” një armë me aftësi unike që mund të depërtojë sistemet e mbrojtjes nga raketat. Shefi i agjencisë ruse të hapësirës Dmitry Rogozin e quajti në mënyrë provokative provën e së mërkurës me këtë raketë si "një dhuratë për NATO-n".

John Kirby
John Kirby

Por, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se "Rusia njoftoi siç duhet Shtetet e Bashkuara në bazë të detyrimeve të saj bazuar në marrëveshjen e re START që po planifikonte të bënte këtë provë me raketë balistike ndërkontinentiale. Provat e tilla janë rutinë. Nuk ishte një surprizë. Ne nuk e konsideruam provën si një kërcënim për Shtetet e Bashkuara ose aleatët e saj.”

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi lëshimin e parë të raketës së re balistike ndërkontinentale “Sarmat”. Presidenti Vladimir Putin tha se kjo armë është unike dhe do t'i bëjë ata që kërcënojnë Rusinë "të mendojnë dy herë".

Ministria rusa e mbrojtjes tha se raketa u lëshua të mërkurën nga baza Plesetsk në Rusinë veriore dhe mbushjet e saj praktike goditën objektivat e përcaktuara në poligonin e qitjes Kura në Gadishullin e largët lindor të Kamçatkës.

“Sarmat” është një raketë e rëndë, që pritet të zëvendësojë raketën “Voyevoda” të prodhimit sovjetik, e cila është quajtur “Satani” nga Perëndimi. Presidenti Putin tha se ajo mund të depërtojë çdo sistem të të mundshëm të mbrojtjes raketore.

Zoti Putin e quajti këtë "një ngjarje të madhe, domethënëse" për industrinë ruse të mbrojtjes. Ai tha se “Sarmat” do të garantojë sigurinë e Rusisë nga kërcënimet e jashtme dhe "i bën ata që, në kulmin e retorikës së furishme, agresive, përpiqen të kërcënojnë vendin tonë, të mendojnë dy herë".

Rusia mbështetet në raketat balistike ndërkontinentale me mbushje bërthamore, përfshirë raketën “Sarmat” për strategjinë e saj të frenimit të një sulmi ndaj saj nga një vend tjetër. Shtetet e Bashkuara kanë raketat e saj balistike me aftësi bërthamore, por kohët e fundit anuluan një provë me këtë lloj arme për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.

XS
SM
MD
LG