Lidhje

Senatorët amerikanë mbështesin aspiratat e Kosovës për integrime euro-atlantike


Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Chris Murphy, u shprehën të enjten mbështetjen aspiratave të Kosovës për të qenë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.

Këto komente ata i bënë në Prishtinë, ku së bashku me senatorin Thom Tillis, u takuan me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Senatorët amerikanë vizitojnë Kosovën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:22 0:00

Senatorja Shaheen tha se vizita është mesazh i rëndësishëm për mbështetjen dypartiake të senatit amerikan për atë që po ndodh në Kosovë.

“Mezi presim të mbështesim aspiratën tuaj për të qenë pjesë e NATO-s. Senatori Tillis dhe unë jemi bashkëudhëheqës të grupit vëzhgues për NATO-s në Senat, kështu që ne punojmë shumë për të mbështetur përpjekjet në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur atë që NATO-ja po bën dhe për të mbështetur aspiratën e vendeve si Kosova, që janë të interesuar për t'u anëtarësuar në NATO. Ne gjithashtu mbështesim aspiratën tuaj të vazhdueshme për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian dhe partneritetin tuaj me perëndimin”, tha ajo.

Senatori Chris Murphy tha ndërkaq se “është më urgjente tani se kurrë që të sigurohemi që një vend si Kosova, që shtrihet në periferi të Rusisë... të gëzojë ombrellën mbrojtëse. Është inkurajuese të dëgjosh përparimin që po bën Kosova kur bëhet fjalë për reformat e nevojshme për t'u bashkuar me NATO-n dhe ne kur të kthehemi në Uashington do të provojmë të gjejmë rrugë të reja për të punuar së bashku për t'i bërë të mundura ato reforma”.

Senatori Murphy tha se sulmi i paprovokuar dhe brutal i Rusisë ndaj Ukrainës, është një kujtesë se paqja nuk duhet të merret si e mirëqenë dhe se një vend që është duke jetuar në paqe, mund të bëhet shpejt pjesë e një konflikti brutal.

“Ky është një përkujtim për SHBA-në përse kemi investuar aq shumë në sigurinë e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë të veçantë përse kemi investuar në sigurinë e Kosovës. Por është edhe një arsye tjetër pse jemi këtu; për t'i falënderuar miqtë, sepse në këtë rajon askush nuk ka qëndruar më fuqishëm me Shtetet e Bashkuara në sanksionet kundër Rusisë se sa Kosova, nuk kemi nevojë për shembull tjetër për të treguar që miqësia dhe aleanca jonë është e posaçme’, tha ai.

Senatorja Shaheen tha se është shumë e rëndësishme që të ruhet siguria e Kosovës dhe rajonit.

“Ne ndajmë shqetësimin për sigurinë në rajon. Një pjesë e arsyes për të vizituar kampin Bondsteel, ishte informimi nga forcat e KFOR-it dhe amerikanët që janë pjesë e asaj përpjekjeje, sepse ne pajtohemi se është shumë e rëndësishme për të mbrojtur sigurinë e Kosovës dhe të rajonit”, tha ajo duke nënvizuar se pret që të bashkëpunojë me autoritetet e Kosovës për sfidat e së ardhmes.

“Veçanërisht më këtë mjedis sigurie me të cilin po përballemi në Evropë me atë që po ndodh në Ukrainë dhe agresionin e paprovokuar rus. Ne nuk duam që kjo të ndodhë askund tjetër në Evropë dhe duam të shohim fundin sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se me senatorët amerikanë ka diskutuar për nevojën e mbrojtjes së vlerave demokratike të rajonit.

“Ka pasur dhe vazhdon të ketë një interesim serioz nga Rusia që ta destabilizojë kontinentin dhe rajonin tonë”, tha presidentja Osmani.

Kryeministri Albin Kurti tha se kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se tani që të gjitha shtetet demokratike të qëndrojnë bashkë kundër luftës agresore dhe ilegale të Rusisë në Ukrainë.

“Me këtë rast edhe njëherë e ritheksojmë solidaritetin dhe admirimin tonë për popullin e Ukrainës, lidershipin politik të tij dhe qëndrueshmërinë për luftën çlirimtare që po bëjnë. Në këtë kontekst, Kosova ka mbajtur qëndrim të njëjtë me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në, ndërkaq në anën tjetër kemi autokracitë të cilat mund të jenë të ndara nga populli i tyre, por po bashkëpunojnë me njëra tjetrën”, tha ai.

Kryeministri Kurti kërkoi mbështetje nga Kongresi amerikan që t’i hapet rruga anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Ky takim me tre senatorë vjen pas takimit virtual që kemi pasur me 22 mars me disa kongresistë ku edhe në atë takim patëm kërkuar mbështetjen e SHBA-se për anëtarësimin e Kosovës në NATO, për çfarë është e rëndësishme që Kosova të bëhet pjesë e programit të Partneritetit për Paqe drejt anëtarësimit të plotë”, tha ai.

Senatorët amerikanë po qëndrojnë në Kosovë pas vizitave në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, në kohën e agresionit rus në Ukrainë dhe shqetësimeve për ndikimet e konfliktit edhe në Ballkanin Perëndimor. Ata kanë theksuar se vizita e tyre ka për qëllim forcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara me Ballkanin, përballë përpjekjeve të huaja për të dëmtuar paqen.

Gjatë vizitës në Beograd, senatori Murphy tha se është i zhgënjyer me mungesën e përparimit në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, ndërsa i bëri thirrje Beogradit që të harmonizojë politikn e tij të Jashtme me Bashkimin Evropian.

“Ne gjithashtu shprehëm besimin tonë në rëndësinë e përparimit në dialogun me Serbinë përmes procesit të Brukselit, e dimë se bisedimet janë të vështira, por besojmë se janë të rëndësishme”, tha senatori Murphy.

XS
SM
MD
LG