Lidhje

Shtatë vite të tjera burg për Gruevskin


Nikola Gruevski
Nikola Gruevski

Gjykata Penale në Shkup dënoi me shtatë vjet burg ish-kryeministrin Nikolla Gruevski nën akuzat për korrupsion në blerjen e sipërfaqeve tokësore për ndërtim në lagjen Vodno të Shkupit. Dënimi iu shqiptua në mungesë, pasi zoti Gruevski ndodhet në arrati, në Hungari.

Për të njëjtën vepër u dënua edhe kushëriri i tij i parë, Sasho Mijalkov, ish-shef i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (shërbimi sekret shtetëror). Zoti Mijalkov u dënua me 1 vit e 3 muaj burg. Po ashtu, në këtë rast të koduar si “Parcelat në Vodno” u dënua me një vit heqje lirie edhe biznesmeni kontravers Orce Kamçev. Këtyre dy të fundut u llogaritet kohëzgjatja në parburgim apo arrest shtëpie që përafërsisht është rreth një vit.

Gjykatësi Ilija Tërpkov tha se zoti Gruevski kishte përvetësuar në mënyrë të jashtligjshme 1.36 milionë euro nga partia e tij VMRO-DPMNE, që ishin donacione dhe fonde anëtarësimi. Ai tha se ai kishte bërë pastrimin e parave në fjalë dhe me to kishte blerë parcela në Vodno, një lagje e njohur elitare - për një çmim 11 mijë euro.

Veç burgut, zotërinjve Gruevski dhe Mijalkov do t’u konfiskohen të gjitha pronat, përveç dy apartamenteve të banimit që janë në emër të nënës së Nikolla Gruevskit.

Gjykatësi tha se për përvetësimin e shumave të mëdha të parave kanë dëshmuar dhe Gordana Jankullovska dhe Martin Protogjer (ish-bashkëpunërtorët e Gruevskit), ndërsa dëshmitarë të tjerë kanë pranuar se kanë lënë shuma të mëdha parash në selinë e partisë, të nxitur nga Koce Trajanovski, ish kryetar i Komunës së Shkupit.

Sipas gjykatësit, paratë ishin dërguar në të ashtuquajturat parajsa fiskale në Belize, prej nga ishin kthyer në Maqedoninë e Veriut përmes bankës “Stopanska banka - Manastir”. Më pas, si para të biznesmenit Kamçev përsëri dërgohen në Belize dhe kthehen në kompaninë e tij “Orka holding” në Shkup.

Siç dëgjohet në bisedat e përgjuara telefonike, e motra e Kamçevit i blen aksionet e një kompanie të Gruevskit në shkëmbim për tre banesa në kompleksin “Panorama residence” në Vodno të Shkupit. Gjykatësi tha se të gjithë e dinin se bëhej fjalë për para të fituara në mënyrë joligjore.

Prokurorja Lile Stefanova u tha gazetarëve se ishte e kënaqur me vendimin e gjykatës për konfiskimin e pronave por jo me masën e ulët të dënimit me burg.“Shtetit do t’i kthehen mjete dhe prona të fituara me anë të veprave penale”, u shprej prokurorja, e cila la të kuptophej se vlera e tregut të pronave llogaritet në rreth tre milionë euro.

Ish-kryeministri Gruevski shkroi në Facebook se, ndihej i tradhëtuar nga bashkëpunëtorët e tij, “të cilët kishin pranuar ta ngarkojnë atë me faj për të mbrojtur vetëveten”. Ai akuzon autoritetet në Shkup për “përndjekje politike kundër tij”. Zoti Gruevski tashmë është dënuar për raste të tjera gjyqsore me disa vite burg, ndërsa akuzohet edhe si organizator kryesor i ngjarjeve të dhunshme në parlamentin e vendit, në prill, 2017. Autoritetet hungareze nuk kanë pranuar të bëjnë ekstradimin e tij.

XS
SM
MD
LG