Lidhje

Rusia inskenon varrimin e trupave në Mali për të fajësuar Francën


Ushtria franceze thotë se ka pamje filmike të mercenarëve rusë që varrosin trupa pranë një baze ushtarake në pjesën veriore të shtetit Mali në Afrikën Perëndimore. Parisi thotë se kjo është pjesë e një fushate ruse me qëllim njollosjen e imazhit të Francës e cila i dorëzoi bazën forcave ushtarake të Malit në fillim të kësaj jave.

Pamjet filmike të survejimit nga ajri nga ushtria franceze të enjten dhe të ofruara për agjencinë e lajmeve Associated Press, tregojnë 10 ushtarë të bardhë që mbulojnë me rërë mbi 10 trupa të Malit rreth 4 kilometra në lindje të bazës ushtarake Gossi në veri të vendit, sipas një oficeri ushtarak francez, i cili foli në kushte anonimiteti, sepse ai nuk ishte i autorizuar të bisedonte me shtypin për këtë çështje.

Në video, një nga ushtarët duket se po filmon skenën. Ushtarët e bardhë në video besohet të jenë pjestarë të “Grupit Wagner”, një forcë mercenare ruse, tha oficeri francez.

Disa llograri në rrjetin Twitter, që mbështesin Rusinë, ose profile të rreme të krijuara nga Wagner, kanë postuar fotografi të trupave, tha oficeri. Postimet në Twitter fajësojnë francezët për vrasjet dhe varrosjet, tha ushtaraku francez.

Përmes një postimi në Twitter, nga një profil i quajtur Dia Diarra që mendohet se është krijuar nga Wagner, thuhet se: “Kjo është ajo që francezët lanë pas kur u larguan nga baza në #Gossi. Këto janë pjesë nga një video që është realizuar pas largimit të tyre! Nuk mund të heshtim për këtë!”

Ushtria franceze ia kaloi kontrollin e bazës ushtrisë së Malit të martën, në atë që francezët thanë se ishte një proces i rregullt dhe transparent.

Më vonë atë ditë, francezët vëzhguan një duzinë individësh të bardhë, me shumë gjasa që i përkisnin Grupit Wagner dhe një skuadër e ushtrisë së Malit që arriti në bazën Gossi dhe shkarkon pajisje, tha ushtria franceze në një raport konfidencial, që u pa nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Ushtria franceze tha se përpjekjet për të diskredituar trupat franceze që veprojnë në pjesën veriore në Mali janë pjesë e një fushate të koordinuar të sulmeve të shumta informative ndaj tyre që vazhdon prej disa muajsh.

Varret e inskenuara në dukje mund të shihen si shembulli i fundit i fushatës së dezinformimit të Rusisë për të dëmtuar reputacionin e Francës dhe gjithashtu e bën ushtrinë e Malit të duket keq, e cila duhet të ketë qenë në dijeni të veprimeve të rusëve, tha Rida Lyammouri me “ Policy Center for the New South”, një organizatë me qendër në Marok e fokusuar në ekonomi dhe politikë.

“Ky incident në kampin Gossi do ta thellojë edhe më tej problematikën mes juntës ushtarake të Malit dhe komunitetit ndërkombëtar dhe nuk do të ishte befasuese nëse ata ofrojnë me një shpjegim joreal”, tha ai.

Ai tha se imazhet ajrore të siguruara nga ushtria franceze kanë penguar në masë të madhe përpjekjet ruse për dezinformim. “Kjo është një fitore e madhe për Francën, e cila po përballet me kohë të vështira lidhur me reputacionin e saj në Mali”, tha ai.

Në shkurt, Franca njoftoi se do të tërhiqte trupat e saj nga Mali mes tensioneve me juntën ushtarake në pushtet dhe vendimit të shtetit të Afrikës Perëndimore për të punësuar mercenarë rusë nga Grupi Wagner. Sipas ekspertëve ushtarakë, rreth 1000 mercenarë rusë besohet se veprojnë në Mali.

XS
SM
MD
LG