Lidhje

Meta dekreton anëtarin e 12-të të Gjykatës së Lartë dhe kritikon KLGJ-në


Në Shqipëri presidenti Ilir Meta, dekretoi në postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, zotin Dariel Sina, i propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), pasi u përzgjodh mes kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile. Zoti Sina, i cili aktualisht kryen funksionin e Komisionerit publik, figurë me rol në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, bëhet kështu anëtari i 12-të i kësaj gjykate në përbërje të së cilës janë parashikuar 19 gjyqtarë.

Presidenti Meta përsëriti sot sërish kritikat e tij ndaj KLGJ-së, për vonesat në propozimin e kandidaturave për në Gjykatën e Lartë. Vetëm për vakancën e plotësuar me emrëimin e zotit Sina, procedura “ka zgjatur ekzaktësisht 2 (dy) vjet e 7 (shtatë) muaj, (shtator 2019-prill 2022) ç’ka tregon se kohëzgjatja e procedurave të ndjekura nga KLGJ është e papranueshme, përtej çdo afati ligjor dhe të arsyeshëm”, theksoi zoti Meta në një shpjegim që shoqëronte dekretin. Zoti Meta kujtoi se edhe pse ai vetë “zyrtarisht dhe përmes mesazheve publike ka kërkuar dhe ka bërë disa herë thirrje për ndjekjen me prioritet të procedurave të plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë, sërisht faktet tregojnë se KLGJ dhe/apo institucionet e përfshira apo të lidhura me këtë proces kanë vepruar jashtë këtij prioriteti”, nënvizoi kreu i Shtetit.

Përveç numritë të lartë të dosjeve të grumbulluara ndër vite në Gjykatën e Lartë, plotësimi i saj me anëtarë pati një rëndësi të veçantë duke qenë se ishte institucioni që do të duhej të përzgjidhte kandidaturat për tre nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kjo situatë u zhbllokua vetëm në shkurt të këtij viti kur u emërua gjyqtarja Arbena Ahmeti, anëtarja e 10-të e Gjykatës së Lartë, e cila bëri të mundur, sigurimin e kuorumit të nevojshëm për thirrjen e mbledhjes së posaçme për zgjedhjen e tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin e zgjedhjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, mbledhja e posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që thirret nga kryetari i saj, konsiderohet e vlefshme nëse marrin pjesë të paktën gjysma e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Aktualisht Gjykata e Lartë ka mundur të plotësojë 1 prej 3 vakancave, ndërsa vijon procesi i verifikimit të kandidatëve për dy vendet e tjera të mbetura bosh në Gjykatën Kushtetuese.

XS
SM
MD
LG