Lidhje

Biden, Clinton nderojnë ish-sekretaren e Shtetit Madeleine Albright 


Albright Funeral
Albright Funeral

Duke iu drejtuar udhëheqësve botërorë dhe elitës politike të Amerikës në nderimet e fundit për Madeleine Albright, ish-presidenti Bill Clinton kujtoi në bisedën e tij të fundit me ish-sekretaren e shtetit se ajo nuk donte të fliste për shëndetin e saj në rënie në një moment kur Perëndimi po ndiqte më vëmendje sulmin rus ndaj Ukrainës.

Ish-presidenti Clinton tha se zonja Albright e siguroi atë në bisedën që ata patën rreth dy javë para se të vdiste muajin e kaluar, se ajo po merrte kujdesin më të mirë të mundshëm, por nuk donte të "humbiste kohën" duke folur për këtë.

"E vetmja gjë që ka vërtet rëndësi është se çfarë bote do t'u lëmë nipërve mbesave tona", kujtoi zoti Clinton fjalët e ish-sekretares Albright.

Presidenti Joe Biden dhe ish-presidentët Barack Obama dhe Bill Clinton, i cili e emëroi zonjën Albright Sekretare të Shtetit, duke e bërë atë gruan e parë në këtë post, morën pjesë në shërbimin përkujtimor, ashtu si edhe 1,400 pjesëmarrës të tjerë.

Madeleine Albright vdiq nga kanceri muajin e kaluar në moshën 84-vjeçare, duke nxitur një vërshim ngushëllimesh nga e gjithë bota që përshëndetën edhe përpjekjet e saj në mbështetje të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Përveç presidentit aktual dhe ish-presidentit, ceremoninë e ndoqën të paktën tre nga pasardhëset e saj, zyrtarë të qeverisë aktuale, ish-zyrtarë, diplomatë të huaj, ligjvënës dhe njerëz të tjerë që e njihnin atë.

Presidenti Biden, i cili bëri homazhe për ish-Sekretaren Albright, tha se emri i saj ishte sinonim me idenë se Amerika është "një forcë për të mirën në botë".

"Në shekullin 20 dhe 21, liria nuk kishte kampione (mbështetëse) më të madhe se Madeleine Korbel Albright", tha zoti Biden. “Sot ne nderojmë një amerikane vërtetë krenare që na bëri të gjithëve më krenarë që jemi amerikanë”, tha ai. "Në vitet 1990, Madeleine punoi ngushtë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe me Senatin në përpjekjet për të ndalur gjenocidin në Ballkan, dhe për të mbështetur demokracitë e reja në Evropën Qendrore dhe Lindore", shtoi Presidenti Biden.

Hillary Clinton e nxiti bashkëshortin e saj që të emëronte zonjën Albright në postin e Sekretares së Shtetit, një post në të cilin vetë zonja Clinton shërbeu më vonë gjatë administratës së Presidentit Obama. Të dy zhvilluan një miqësi të fortë me kalimin e viteve.

Zonja Clinton tha se ish-sekretarja Albright ishte një diplomate e patrembur që theu barrierat dhe më pas këshilloi, nxiti dhe frymëzoi gratë të ndiqnin hapat e saj.

"Engjëjt duhet të vënë karficat e tyre më të mira dhe të veshin këpucët e tyre të kërcimit", tha zonja Clinton. "Sepse, nëse siç besonte Madeleine, ka një vend të veçantë në ferr për gratë që nuk mbështesin gratë e tjera, ata nuk kanë takuar ende një person si ajo."

Në mesin e atyre që u mblodhën në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit për të nderuar ish-sekretaren Albright ishin edhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken dhe ish-sekretarët e shtetit Condoleezza Rice dhe John Kerry. Zyrtarë të tjerë të lartë të administratës së Presidentit Biden si Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, Drejtori i CIA-s Bill Burns, Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley dhe këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan ishin gjithashtu të pranishën në këtë ceremoni. Me kërkesë të familjes Albright, pjesëmarrësit vunë maskat.

Zyrtarë të lartë të huaj të ftuar në funeral përfshinin presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ish-presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Albin Kurti. I pranishëm ishte edhe presidenti i Gjeorgjisë dhe zyrtarë të lartë nga Kolumbia, Bosnja dhe Republika Çeke.

Albright dhe familja e saj u larguan për shkak të nazistëve në Çekosllovaki, vend i saj i lindjes, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata u vendosën përfundimisht në Shtetet e Bashkuara, ku zonja Albright u ngrit në postin e një diplomateje të famshme për një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe një koleksion karficash që ajo mbante për të dërguar mesazhe politike. Ajo studioi në Kolegjin Wellesley dhe u ngrit në radhët e qarqeve të politikës së jashtme të Partisë Demokratike, duke u bërë ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara dhe në vitin 1996 Sekretare e Shtetit.

Edhe pse nuk ishte kurrë në radhë për presidencën për shkak se kishte lindur në një vend të huaj, Madeleine Albright admirohej universalisht për thyerjen e barrierave, madje edhe nga kundërshtarët e saj politikë.

Si sekretare e shtetit, Albright luajti një rol kyç në përpjekjen për të bindur Presidentin Clinton që të ndërhynte kundër udhëheqësit serb Slobodan Millosheviç për trajtimin e rëndë të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.

Zonja Albright ishte një nga zërat më të fuqishëm kundër mizorive të diktatorit serb Sllobodan Millosheviç në luftërat e Ballkanit.

Ajo mbështeste hapur ndërhyrjen e aleancës së NATO-s në Kosovë, me qëllim që të ndalej vrasja e civilëve shqiptarë nga forcat serbe në luftën e viteve 98-99.

Fushata 78 ditore e bombardimeve të NATO-s kundër Beogradit, solli lirinë e Kosovës.

“E fituam këtë luftë në mënyrë që ju të mund të shkoni në shtëpi dhe të jetoni një jetë normale. Millosheviçi dhe serbët humbën kontrollin mbi Kosovë”, u tha zonja Albright refugjatëve shqiptarë gjatë një takimi me ta në kampet e Maqedonisë së Veriut.

Kosovën e lirë dhe të pavarur zonja Albright e vlerësonte si arritjen më të madhe të karrierës së saj.

Në vitin 2012, Presidenti Obama e nderoi ish-sekretaren Albright me Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderimi më i lartë civil i vendit, duke thënë se jeta e saj ishte një frymëzim për të gjithë amerikanët.

E lindur me emrin Marie Jana Korbel në Pragë më 15 maj 1937, ajo ishte vajza e diplomatit Joseph Korbel. Familja e saj ishte hebreje dhe u konvertua në katolicizëm kur ajo ishte 5 vjeç. Tre nga gjyshërit e saj hebrenj vdiqën në kampet naziste të përqendrimit.

Zonja Albright ishte një internacionaliste, këndvështrimi i së cilës u formua pjesërisht nga prejardhja e saj. Familja e saj u largua nga Çekosllovakia në vitin 1939 pasi nazistët pushtuan vendin e tyre dhe ajo i kaloi vitet e luftës në Londër.

Pas luftës, ndërsa Bashkimi Sovjetik pushtoi pjesë të mëdha të Evropës Lindore, babai i saj e solli familjen në Shtetet e Bashkuara. Ata u vendosën në Denver, ku babai i saj dha mësim në Universitetin e Denverit. Një nga studentët më të mirë të zotit Korbel ishte Susan Rice, e cila më vonë pasoi hapat e vajzës së tij, duke u bërë Sekretare e Shtetit.

Pas diplomimit, zonja Albright punoi si gazetare dhe më vonë studioi për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Kolumbias, ku mori mori diplomën e magjistraturës në vitin 1968 dhe doktoraturën në vitin 1976. Më pas ajo hyri në politikë dhe në sektorin e politikës së jashtme që në atë kohë dominoheshin nga meshkujt.

XS
SM
MD
LG