Lidhje

Xhakarta nuk e konfirmon ftesën drejtuar Zelenskyy-t për pjesmarrje në forumin e G-20-s


Presidenti indonezian Joko Widodo, një vend që ka presidencën këtë vit të Grupit të Njëzetëshes (G-20), nënvizoi mbështetjen e vendit të tij për Ukrainën, por nuk konfirmoi një pohim të bërë më parë nga Presidenti Volodymyr Zelenskyy se ai ishte ftuar në takimin e nivelit të lartë që mbahet në muajin nëntor në Bali.

Përsërita mbështetjen e Indonezisë për çdo përpjekje që negociatat e paqes të kenë sukses dhe gatishmërinë për të ofruar ndihmë humanitare”, shkruante zoti Widodo në një postim në Twitter të enjten në mëngjes me orën lokale të Xhakartës.

Të mërkurën zoti Zelenskyy shkruante në Twitter se kishte biseduar me zotin Widodo, duke shtuar: “E vlerësoj ftesën e tij për në takimin e G-20-s”.

Deklarata e zotit Zelenskyy duket se e vendos Xhakartën në një pozitë të vështirë, ndërsa përgatitet të presë një takim të nivelit të lartë, në mesin e një përçarjeje mes anëtarëve të forumit ekonomik, i cili përfshin vendet anëtare të G-7-s, Bashkimin Evropian, Rusinë dhe Kinën.

Të enjten, një nga zyrtarët indoneziane që po merret me organizimin e forumit, Dian Triansyah Djani, i tha Zërit të Amerikës se zyra e zotit Widodo nuk e kishte informuar atë për një ftesë për zotin Zelenskyy. Ai shtoi se Xhakarta dëshiron që të gjithë të vijnë, përfshirë Presidentin rus Vladimir Putin.

"Ashtu si të gjitha vendet që kanë drejtuar më parë G-20-s, Indonezia shpreson të ketë pjesëmarrje të plotë, të të gjithë anëtarëve të grupit", tha ai.

Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se nuk ka marrë konfirmim nga qeveria e zotit Widodo në lidhje me ftesën drejtuar zotit Zelenskyy për të marrë pjesë në forum, një sugjerim i bërë nga Presidenti amerikan Joe Biden muajin e kaluar, nëse grupi nuk pajtohej me kërkesën e Uashingtonit dhe aleatëve të tjerë perëndimorë, që Moska të përjashtohet nga G- 20.

Ne kemi parë njoftime se Presidenti Zelenskyy është ftuar në forumin e G-20-s dhe sigurisht e mirëpresim atë”, u tha gazetarëve të mërkurën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Siç e dini, Presidenti Biden tha muajin e kaluar se Ukraina duhet të ketë mundësi të marrë pjesë. Por ne nuk kemi konfirmim të mëtejshëm përtej njoftimeve mediatike, të cilat sigurisht mendojmë se janë pozitive”, shtoi ajo.

Në postimin e tij në Twitter, zoti Zelenskyy falënderonte gjithashtu zotin Widodo për mbështetjen e tij për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, veçanërisht për pozicionin e qartë në OKB.

Në muajin mars Indonezia mbështeti dy rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që dënonin sulmin e Rusisë në Ukrainë, por abstenoi në votimin e rezolutës së tretë, së bashku me 57 anëtarë të tjerë të OKB-së, rezolutë nëpërmjet së cilës kërkohej përjashtimi i Moskës nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Mision i pamundur

Analistët kanë vënë në dukje se qeveria e zotit Widodo ndodhet përballë një detyre të vështirë për të gjetur konsensus mbi problemet më urgjente ekonomike të botës, ndërsa përpiqet të menaxhojë rivalitetet e reja gjeopolitike të shkaktuara nga sulmi i Rusisë në Ukrainë.

Pas aneksimit të Krimesë në 2014, Moska u përjashtua nga Grupi i Tetëshes (G-8), që njihet tashmë si Grupi i Shtatëshes (G-7), G-20 është një grupim shumë më i gjerë, me shumë më tepër interesa konkurruese. Ai përfshin Kinën, e cila mbështet përfshirjen e Moskës në të.

"Mendoj se Indonezia po përpiqet të zgjidhë një mosmarrëveshje", thotë Gregory Poling i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare i cili hulumton politikën e jashtme të SHBA-ve në vendet e Azi Paqësorit.

Ata nuk duan, që SHBA-të dhe anëtarët e tjerë të G-7-s të mos vijnë në takim, por gjithashtu nuk duan të vihen në një pozitë, që të mos ftojnë Putinin”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Pas takimit me anëtarët e NATO-s dhe aleatët evropianë në Bruksel muajin e kaluar, Presidenti amerikan Joe Biden sugjeroi që Kievi të merrte pjesë në takimet e G-20-s në cilësinë e vendit vëzhgues, nëse anëtarët e tjerë nuk arrijnë të bien dakord për të përjashtuar Rusinë.

Presidenti Biden, i cili po ndërton një koalicion global kundër Vladimir Putinit përtej Evropës, nuk ka thënë se do ta bojkotojë takimin e G-20-s nëse udhëheqësi rus merr pjesë në të, por këmbëngul se forumi nuk mund të trajtohet sikur nuk ka ndodhur asnjë.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe ai australian Scott Morrison kanë ngritur gjithashtu shqetësime mbi pjesëmarrjen e Vladimir Putinit.

Dilema e Xhakartës

Dilema e Xhakartës është tregues i ndikimit të konsiderueshëm të Moskës në mbarë botën, duke përfshirë energjinë dhe lidhjet e saj ushtarake me Indonezinë.

Muajin e kaluar, pas trysnisë së fortë perëndimore, Indonezia pezulloi planet që kompania shtetërore e naftës dhe gazit të blinte naftë bruto ruse me çmim të lirë, në mes të rritjes së çmimeve globale të energjisë. Moska ka sasi tepricë nafte, që po ua ofron me një zbritje të madhe vendeve që dëshirojnë të sfidojnë sanksionet perëndimore, duke përfshirë Kinën dhe Indinë. Zyrtarët e lartë indonezianë i kanë bërë rezistencë trysnisë perëndimore lidhur me çështjen e G-20.

Vendet anëtare duhet të punojnë njëzëri për të krijuar stabilitet dhe prosperitet së bashku”, tha ministrja indoneziane e financave Sri Mulyani Indrawati për shërbimin Indonezian të Zërit të Amerikës javën e kaluar.

"Kjo është një nga gjërat më të rëndësishme për ne, të mbështesim idenë e bashkëpunimit, që duhet të ruhet e që nuk duhet të trajtohet në një mënyrë kaq të thjeshtë, e në dy drejtime", tha ajo.

Deri më tani Moska nuk ka njoftuar një ndryshim në planet e Presidentit Putin për të marrë pjesë personalisht në forum.

Në fillim të këtij muaji, administrata Biden sinjalizoi se dëshiron që G-20 të diskutojë rreth pasojave ekonomike ndërkombëtare të sulmit rus dhe potencialisht mbi rindërtimin e Ukrainës. Kjo ide ka të ngjarë të krijojë përçarje të mëtejshme në forumin ekonomik.

Në fillim të kësaj jave, ministri koordinues i Indonezisë për Çështjet Detare Luhut Binsar Pandjaitan, i tha Shërbimit Indonezian të Zërit të Amerikës se qeveria e tij do të presë të shohë se çfarë do të ndodhë.

"Askush nuk do të turpërohet", tha ai. "Kjo është mendoj gjëja më e mirë për t'u bërë".

XS
SM
MD
LG