Lidhje

Zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit takime në Podgoricë


Dritan Abazoviq- Karen Donfried
Dritan Abazoviq- Karen Donfried

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka zhvilluar një takim me Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, e cila ndodhet në Podgoricë pasi vizitave në Serbi, Kosovë, Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni e Veriut si dhe Shqipëri.

Në një postim në rrjetin social Twitter, zoti Abazoviq dha detaje nga ky takim.

“Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të forcojnë partneritetin. Fokusi ynë është në sundimin e ligjit, bashkëpunimin rajonal dhe investimet. Jam i nderuar nga vizita e zyrtares së lartë amerikane Karen Donfried dhe ekipit të saj gjatë ditës së parë të punës në kabinetit tim”, shkruan zoti Abazoviq.

Më herët zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit zhvilloi edhe një takim me kryetaren e parlamentit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq.


Ambasada Amerikane në Podgoricë njoftoi se zonja Donfrid ka uruar Danijela Gjuroviq për zgjedhjen në krye të parlamentit, duke shprehur besimin se ajo do të veprojë me sukses për të arritur një konsensus dhe për të forcuar rëndësinë e legjislativit.

Karen Donfried- Danijela Gjuroviq
Karen Donfried- Danijela Gjuroviq


“Ndërsa qeveria e re fillon mandatin e saj, Shtetet e Bashkuara presin që të gjithë deputetët malazezë të marrin pjesë plotësisht në punën e parlamentit, me qëllim zgjidhjen e çështjeve urgjente, duke përfshirë përmirësimin e situatës ekonomike dhe luftimin e korrupsionit”, theksohet në njoftimin e ambasadës amerikane.


Ndërkaq sipas njoftimit të parlamentit të Malit të Zi thuhet se zonja Gjuroviq ka theksuar “domosdoshmërinë e pajtimit në Mal të Zi dhe ka theksuar se gjatë mandatit të saj do të jetë e përkushtuar pa mëdyshje për bashkëpunim dhe komunikim me të gjithë aktorët politikë”


Ajo theksoi rëndësinë e dialogut politik në institucione dhe kërkimin e zgjidhjeve të përbashkëta për ndërtimin e së ardhmes evropiane të Malit të Zi.

XS
SM
MD
LG