Lidhje

Dhjetëra të arrestuar në Turqi në protestat me rastin e 1 Majit


Policia turke arrestoi me dhjetëra protestues që po përpiqeshin të shkonin në sheshin kryesor të Stambollit, atë Taksim, për të zhvilluar demonstrata me rastin e 1 Majit, ditës ndërkombëtare të punëtorëve. Protestat kishin në qendër vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga inflacioni i tejet i lartë.

Zyra e guvernatorit të Stambollit kishte lejuar që festimet me këtë rast të mbaheshin në një distrikt tjetër dhe i konsideroi tubimet në të rajonet e tjera, si të paautorizuara e të paligjshme.

Një gazetar i agjencisë së lajmeve “Reuters” tha se kishte parë forcat policore që angazhon kundër trazirave, duke prangosur protestues, imazhe të cilat u shfaqën edhe në televizionet lokale.

Policia arrestoi gjithashtu 30 vetë në Besiktash dhe 22 të tjerë në distriktin Sisli, njoftoi agjencia e lajmeve “Demiroren”.

Në një deklaratë të zyrës së guvernatorit të Stambollit të dielën thuhej se 164 protestues ishin arrestuar në të gjithë qytetin lidhur me ato që u quajtën, përpjekje për të zhvilluar demonstrata të paligjshme.

Marshimet e udhëhequra nga punëtorët dhe sindikatat mbahen më 1 maj çdo vit si pjesë e festimeve me Ditën Ndërkombëtare të Punës në shumë vende.

Sipas një analize të “Reuters” të publikuar të enjten norma vjetore e inflacionit në Turqi do të rritej në 68 për qind në prill, nxitur nga konflikti në Ukrainë dhe rritja e çmimit të mallrave, duke u ulur vetëm pak, deri në fund të vitit.

Inflacioni në rritje dhe vështirësitë ekonomike që ai shkakton u përmendën në deklaratat e 1 Majit nga disa grupime.

"Tema jonë kryesore këtë vit duhej të ishte kostoja e jetesës", tha kreu i Konfederatës së Sindikatave të Punës Ergun Atalay.

"Inflacioni shpallet në fillim të çdo muaji. Norma e inflacionit duhet të reflektohet tek pagat çdo muaj", shtoi ai.

XS
SM
MD
LG