Lidhje

Shkup, protestë për rritjen e pagave


1 Maji, protesta Shkup

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, me rastin e 1 Majit, organizoi në Shkup një marshim protestë për të shprehur pakënaqësitë me trajtimin e punëtorëve në vend dhe për pagat e ulëta.

Qindra anëtarë të sindikatave dhe përkrahës të tjerë të tyre marshuan nga selia e Lidhjes së Sindikatave drejt parlamentit dhe qeverisë në qendër të Shkupit. Sindikalistët kërkojnë rritjen e pagave mujore me 2 mijë e 800 denarë, rreth 45 euro.

Protestuesve para qeverisë iu bashkua Zëvendës-kryeministri për çështje ekonomike dhe Ministrja e Punës dhe Politikave Sociale, të cilët shprehën mbështetje për të drejtat e punëtorëve, ndërsa thanë se qeveria po përgatitë një ligj për rritjen e pagave në mënyrë lineare.

Megjithatë, sindikalistët në Maqedoninë e Veriut vlerësohet të kenë qenë gjithnjë të ndikuar politikisht dhe kërkesat për përmirësimin e kushteve dhe statusit të punëtorëve janë zvarritur prej vitesh.

Së fundmi, Sindikata e Arsimit u hodh në grevë, të cilën e pezulloi pas dy javësh. Mësimdhënësit kërkojnë ngritjen e pagave për 18,4 përqind, teksa qeveria u ofron atyre ngritjen prej 12 përqind. Nga ana tjetër, ligji të cilin parlamenti e miratoi para pak javësh për ngritjen e rrogës minimale, nuk po respektohet nga shumica e kompanive.

Ndërkohë, 1 Maji në këtë vend, që është ditë jo-pune, më shumë shërben si festë ku njerëzit dalin për shetitje në natyrë se sa që protestojnë.

XS
SM
MD
LG