Vonesat në portet e bregut perëndimor të Shteteve të Bashkuara dhe problemet e zinxhirit të furnizimit në linjat hekurudhore dhe ato të kamionëve kanë dëmtuar eksportet amerikane dhe kanë kufizuar alternativat e konsumatorëve ndërkombëtarë. Vonesat në zinxhirin e furnizimit kanë prekur edhe fermerët e Kalifornisë që merren me kultivimin e bajameve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O'Sullivan njofton nga Lugina Qendrore e Kalifornisë.
80 për qind e bajameve në botë vijnë nga Kalifornia. Ato hahen dhe përdoren për gatim dhe prodhimin e qumështit të bajames.
David Phippen është një kultivues i brezit të tretë. Ai gjithashtu përpunon bajamet për më shumë se 120 kultivues të tjerë.
“Një pjesë e mirë e prodhimit tonë shkon në Japoni. Një pjesë e madhe e tij eksportohet në Dubai dhe Indi. 25 për qind e prodhimit tonë të përgjithshëm eksportohet në tregjet evropiane”, thotë ai.
Shumica e dërgesave kalojnë përmes portit të Oaklandit, por ka një problem. Një rritje në dërgesat e mallrave nga Azia e ka bërë më pak fitimprurëse për anijet që të presin për ngarkesat me eksportet amerikane. Në portet e mbipopulluara në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, shumë anije me kontejnerë shkarkojnë ngarkesën e tyre dhe nxitojnë të kthehen në Azi me kontejnerë bosh.
Ky është një problem për të cilin po flitet shumë në Uashington, ku administrata e Presidentit Biden dhe disa ligjvënës në Kongres shpresojnë të forcojnë mbikëqyrjen federale të transportit detar.
“Nëse nuk i hedhim bajamet në treg, nuk mund t’i paguajmë kultivuesit tanë në Shtetet e Bashkuara. Ata janë të varur nga pagesat për të prodhuar për vitin e ardhshëm”, thotë David Phippen nga kompania “Travaille & Partner Phippen”.
Bajamet mund të ruhen për më shumë se dy vjet në kushtet e duhura, por industria po humbet mundësitë për shitjen e tyre, thotë Richard Waycott, kreu i një organizate të marketingut dhe kërkimit në industri.
“Nëse një produkt ushqimor nuk eksportohet në një vend në kohën kur ai konsumohet më së shumti, për shembull, gjatë festës së Vitit të Ri kinez, ose gjatë festave të mëdha në Indi dhe vende të tjera, ai mbetet pa u konsumuar”, thotë Richard Waycott, president i Bordit të Bajameve në Kaliforni.
Radhët e gjata të kontejnerëve të magazinimit të bajameve janë provë e qartë e vonesave.
“Ajo që është me të vërtetë shqetësuese për partnerët e mi dhe për mua është se kjo magazinë duhet të boshatiset përpara se të fillojë sezoni i vjeljes, në mënyrë që të sjellim këtu prodhimin e ri”, thotë sipërmarrësi David Phippen.
Vjelja tjetër do të fillojë në gusht. Ndërkohë, zoti Phippen ka blerë 3000 kontejnerë druri për të ruajtur tepricat.
"Kjo nuk do ta zgjidhë problemin, por është një përpjekje për trajtimin e tij", thotë ai.
Një treg lokal është ende i paprekur. Fermerët përdorin lëvoren e jashtme të butë të bajames si ushqim për lopët, dhe guaskat për shtratin e bagëtive, një përdorim i kujdesshëm i burimeve që është pjesë e bujqësisë moderne.
Problemet e zinxhirit të furnizimit vijnë në mes të një thatësire shumëvjeçare që gjithashtu u ka krijuar vështirësi fermerëve të Kalifornisë.