Lidhje

Shqipëri, konfiskohen pasuritë e deputetit të PD, Mahmutaj


Në Shqipëri, Gjykata e kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur të konfiskojë pasuritë e deputetit të Partisë Demokratike Kasëm Mahmutaj. Vendimi ka ardhur si pasojë e procesit të hapur ndaj vëllait të tij Gazmend Mahmutaj, i dënuar në Itali për “shfrytëzim prostitucioni”. Ai ishte pjesë e listës së Operacionit Forca e Ligjit (OFL) të nisur në vitin 2020 dhe që synonte goditjen e pasurive të dyshuara se ishin vendosur për shkak të veprimtarive kriminale. Sipas Aktit normativ mbi të cilin zhvilloi aktivitetin Operacioni Forca e Ligjit, subjekt i tij ishin jo vetëm personat për të cilët kishte patur një vendim gjykate, por dhe familjarët e tij.

Pasuritë e vëllezërve Mahmutaj ishin vënë nën sekuestro që në shtator të vitit 2020, dhe në dhjetor të po atij viti, Gjykata kishte marrë kërkesën e prokurorisë dhe për konfiskimin e tyre. Vendimi është marrë në muajin shkurt 2022, por u bë publik vetëm gjatë së martës, pasi çështja përfundoi në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar.

Në momentin e kandidimit të Kasëm Mahmutajt në listën e Beratit, Partia Demokratike i doli në mbrojtje atij. Drejtuesi demokrat i fushatës, Alfred Rrushaj, deklaroi në atë kohë se “Kasëm Mahumtaj Kasemi nuk është vetë subjekt i asnjë lloj procesi, ka kaluar në disa filtra, ka një profil dhe eksperiencë publike të gjatë, nuk rezulton që të ketë shkelur asnjëherë ligjin”.

Gjykata ka vendosur konfiskimin e të paktën 25 pasurive të patundshme të vëllezërve Mahmutaj. Deputeti demokrat rezulton pronar ose bashkëpronar, së bashku me bashkëshorten e tij në të paktën 9 prej tyre (troje, apartamente dhe automjete).

Gjatë procesit gjyqësor avokatët e vëllezërve Mahmutaj kanë pretenduar se pasuritë janë vënë nga të ardhurat prej emigracionit të të tre vëllezërve. Por sipas Gjykatës, për secilin prej tyre, nuk janë konstatuar burime të ligjshme që të justifikonin pasuritë në zotërim të tyre.

Ish kryeministri Sali Berisha, i cili praktikisht ka marrë frenat e drejtimit të Partisë Demokratike, tha të martën se “ne do ndjekim më vëmendje çdo zhvillim, natyrisht jemi për zbatimin e ligjit. Ne jemi për zbatimin objektiv dhe të paanë të ligjit”. Kjo është hera e parë që pasuritë e një deputeti konfiskohen.

XS
SM
MD
LG