Lidhje

Finlanda, një hap më pranë anëtarësimit në NATO


British Prime Minister Johnson meets Finland's President Niinisto, in Helsinki
British Prime Minister Johnson meets Finland's President Niinisto, in Helsinki

Finlanda është një hap më pranë anëtarësimit në NATO, pasi Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto dhe kryeministrja, Sanna Marin me anë të një deklarate shprehën qëndrimin e tyre se janë pro anëtarësimit në aleancën ushtarake, një veprim ky që tregon një ndryshim të madh të politikës së këtij vendi pas agresionit rus në Ukrainë.

“Anëtarësimi në NATO do të forconte sigurinë e Finlandës. Si një anëtare e NATO-s, Finlanda do të forconte të gjithë aleancën e mbrojtjes”, theksohej në deklaratën e përbashkët të presidentit dhe kryemiminstres së Finladës.

Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesa”, theksohej më tej në deklaratë.

Finlanda ndan një kufi tokësor prej 1,340 kilometrash me Rusinë.

Kremlini reagoi ndaj lajmit duke kërcënuar se do të ndërmerrte hapa hakmarrëse "ushtarako-teknike", e të tjera, të cilat nuk i qartësoi, për t'iu kundërvënë siç tha, kërcënimeve të reja ndaj sigurisë kombëtare.

Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit rus të Sigurisë tha se: "Ekziston gjithmonë rreziku që një konflikt i tillë të kthehet në një luftë bërthamore në shkallë të gjerë, një skenar që do të jetë katastrofik për të gjithë".

Në mesin e prillit, zoti Medvedev tha se "nuk do të kishte më bisedime për një Baltik pa armë bërthamore", nëse Finlanda dhe Suedia do të vendosnin për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake prej 30 vendesh anëtare, e formuar pas Luftës së Dytë Botërore.

"Ekuilibri duhet të rivendoset", tha zoti Medvedev.

Këtë javë Presidenti i Finlandës Niinisto e akuzoi Presidentit rus Vladimir Putin se ishte ai shkaktar i situatës.

Tashmë pritet që Parlamenti i Finlandës të shqyrtojë çështjen e aplikimit në NATO-n, por njoftimi nga udhëheqësit e vendit, e bën miratimin praktikisht të sigurt. Megjithatë procesi mund të dojë muaj të përfundojë.

Njoftimi i Helsinkit erdhi një ditë pasi kryeministri britanik Boris Johnson vizitoi Finlandën dhe Suedinë për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak.

Mbretëria e Bashkuar u zotua të mërkurën se do t’i vijë në ndihmë Suedisë dhe Finlandës nëse dy vendet nordike sulmohen.

Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, në 24 shkurt, Finlanda dhe Suedia nisën diskutimet të braktisin neutralitetin e tyre historik pas dekadash dhe t’i bashkohen NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ushtarake do të mirëpresë me krahë hapur Finlandën dhe Suedinë, që të dyja kanë ushtri të forta moderne dhe se pret që procesi i anëtarësimit të jetë i shpejtë dhe i qetë.

Zyrtarët e NATO-s thonë se “procesi i pranimit i dyshes nordike mund të bëhet brenda disa javësh”.

XS
SM
MD
LG