Lidhje

SHBA: Republikani më i lartë i Dhomës së Përfaqësuesve merr thirrje për të dëshmuar për 6 janarin


Republikani më i lartë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Kevin McCarthy dhe disa ligjvënës të tjerë morën të enjten thirrje për paraqitje të detyruar nga komisioni hetimor për sulmin e vitit të kaluar ndaj Kapitolit nga përkrahësit e ish-Presidentit Donald Trump.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për 6 janarin i dërgoi kërkesat për të siguruar dëshminë e ligjvënësve pasi ata kishin refuzuar bashkëpunimin me hetimin.

Ligjvënësi McCarthy tha në një deklaratë në janar se ai nuk do të bashkëpunonte me atë që ai e cilësoi si një komision "të paligjshëm".

"Si anëtar i Kongresit dhe udhëheqës i pakicës (në Dhomën e Përfaqësuesve), nuk ndjej as keqardhje dhe as kënaqësi që kam arritur në përfundimin të mos marr pjesë në abuzimin me pushtetin të këtij komisioni që e njollos këtë institucion sot dhe do ta dëmtojë," tha zoti McCarthy në një deklaratë.

Më 6 janar 2021, përkrahësit e presidentit të atëhershëm Trump hynë në ndërtesën e Kapitolit, të inkurajuar nga presidenti republikan gjatë një fjalimi para Shtëpisë së Bardhë për të protestuar ndaj certifikimit zyrtar nga Kongresi të fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit 2020.

Komisioni po heton rolin e ish-presidentit Trump pasi mijëra mbështetës të tij sulmuan policinë, vandalizuan Kapitolin dhe detyruan anëtarët e Kongresit dhe nënpresidentin e atëhershëm Mike Pence të fshiheshin të frikësuar për sigurinë e tyre.

Zoti McCarthy, i cili është përballur me kritika nga kolegët e tij konservatorë në Kongres, tha fillimisht se ish-presidenti mbante një farë përgjegjësie për dhunën - por më pas vizitoi zotin Trumpin në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago të Floridës dhe pozoi për fotografi me të.

XS
SM
MD
LG