Lidhje

Aktivistët mobilizohen për mbrojtjen e të drejtës për abort në SHBA


Supreme Court Abortion Protests
Supreme Court Abortion Protests

Mijëra përkrahës të së drejtës për abort protestuan të shtunën në gjithë Shtetet e Bashkuara në mbështetje të së drejtës për abort. Organizatorët thanë se marshimet do të vazhdojnë gjatë gjithë verës nëse Gjykata e Lartë rrëzon vendimin e çështjes “Roe kundër Wade” që legalizoi abortin në mbarë vendin.

Protesta për mbrojtjen e të drejtës për abort në SHBA
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Organizatat “Planned Parenthood”, “Women’s March” dhe grupe të tjera për të drejtat e abortit organizuan më shumë se 400 marshime të shtunën në shumë qytete, përfshirë Nju Jorkun, Uashingtonin, Los Anxhelesin dhe Çikagon.

"Ne nuk do të ndalemi derisa kjo qeveri të fillojë të punojë për ne, derisa të pushojnë sulmet ndaj trupit tonë, derisa e drejta për abort të kthehet në ligj", tha Rachel Carmona, presidente e “Women’s March” para protestuesve në Uashington.

Qindra mijëra njerëz morën pjesë në protestat e së shtunës, për të cilat organizatorët thanë se do të ishin të parat mes shumë protestave të koordinuara rreth vendimit të mundshëm të Gjykatës së Lartë për të rrëzuar vendimin Roe kundër Wade për abortin.

Në protestat kundër ndryshimit të këtij vendimi mori pjesë edhe ligjvënësja nga Kalifornia, Barbara Lee, e cila rrëfeu para turmës se si në moshë të re pati nevojë të ndërpriste një shtatëzani. Ajo tha se në atë kohë po përjetonte një moment krize.

“Jemi këtu për ta thënë me zë të lartë dhe në mënyrë qartë, mbani larg duart nga trupat tanë”, tha ajo.

Në Nju Jork protestuesit shprehën zemërimin ndaj dështimit në Senat të një përpjekjeje për ta bërë pjesë të kodit të ligjeve federale vendimin Roe kundër Wade.

“Vendimi Roe kundër Wade legalizoi abortin, duke e bërë atë të mundur për të gjitha gratë, pavarësisht gjendjes së tyre financiare. Rrëzimi i këtij vendimi do t’ia hiqte këtë të drejtë gjysmës së popullsisë në Amerikë”, tha protestuesja 87 vjeçare June Duffy, një aktiviste e mbrojtjes së të drejtës për abort.

Demokratët, të cilët aktualisht kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe të dy dhomat e Kongresit, shpresojnë që reagimi ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë do të kontribuojë në fitoren e kandidatëve të partisë së tyre në zgjedhjet e Kongresit në nëntor.

Rrjedhja e dokumentit, ku mendohet se është shprehur opinioni i shumicës për rrëzimin e vendimit Roe kundër Wade, shkaktoi reagime të shumta edhe mbi dëmin që mund t’i shkaktojë kjo institucionit të Gjykatës së Lartë.

Anëtari konservator i Gjykatës, Clarence Thomas tha të premten në një konferencë në Dallas të Teksasit se rrjedhja e informacionit kishte thyer përgjithmonë besimin brenda Gjykatës.

"Kur e humbet besimin, veçanërisht në institucionin ku jam unë, institucioni ndryshohet rrënjësisht," tha ai.

Vendimi përfundimtar i gjykatës, i cili mund t'u japë shteteve fuqinë për të ndaluar abortin, pritet të publikohet në qershor. Rreth gjysma e shteteve amerikane mund të ndalojnë ose të kufizojnë ndjeshëm abortin nëse Gjykata e Lartë shfuqizon vendimin që mbron të drejtën e abortit.

XS
SM
MD
LG