Komuniteti në Bufalo të Nju Jorkut, po nderon 10 personat e vrarë të shtunën pasdite nga një person i armatosur, i cili hapi zjarr në një dyqan ushqimor të një lagjeje kryesisht afrikano-amerikane. Autoritetet në Shtetet e Bashkuara po i hetojnë vrasjet si një krim urrejtjeje.
Një ditë pikëllimi dhe tmerri në Amerikë, ku po u bëhen nderime dhjetë personave të vrarë me armë të shtunën në një dyqan ushqimor në Bufalo të Nju Jorkut. Shumica e viktimave ishin njerëz me ngjyrë.
Pas dorëzimit në polici, i dyshuari 18-vjeçar Payton Gendron u deklarua i pafajshëm për akuzat për vrasje në paraqitjen e tij të parë në gjykatë. Në shkrimet online, që autoritetet dyshojnë se janë të tijat, ai vetë-shpallet si supremacist i bardhë, fashist dhe nazist.
“Ne jemi ende duke mbledhur faktet, por Departamenti i Drejtësisë tashmë ka njoftuar se po e heton incidentin si një krim të urrejtjes, një vepër me motive racore të supremacistëve të bardhë dhe ekstremizmit të dhunshëm”, tha presidenti Biden të dielën.
Këtë vlerësim bëri të hënën Departamenti i Sigurisë Kombëtare.
“Siç ka njoftuar FBI-ja, ky rast po hetohet si krim i urrejtjes”, tha Alejandro Mayorkas, Sekretar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare.
Autori i sulmit në Bufalo, sipas njoftimeve, ishte i motivuar nga vrasje të tjera për të cilat ai kishte lexuar në internet, përfshirë sulmin në një xhami në Christchurch të Zelandës së Re, ku në vitin 2019 u vranë 50 vetë.
Sulmi në Bufalo ka tronditur dhe zemëruar shumë njerëz të lagjes kryesisht afrikano-amerikane.
“Kam frikë të shkoj në dyqanin ushqimor afër shtëpisë, sepse mund të mos kthehem më në shtëpi tek fëmijët e mi. Ky është një problem për mua”, thotë Denise Walden, banore e Bufalos.
“Kjo nuk duhet të ketë ndikim vetëm në komunitetin e Bufalos, por në të gjithë vendin. Ne po dërgojmë një mesazh shumë të fortë se kjo lloj urrejtjeje nuk mund të tolerohet. Kjo nuk përfaqëson qytetin, ose vendin tonë”, tha kryebashkiaku i Bufalos Byron Brown.