Lidhje

SHBA, program për mbledhjen e fakteve mbi krimet e luftës në Ukrainë


Russia Ukraine War
Russia Ukraine War

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të martën një program të ri për mbledhjen dhe analizimin e provave të krimeve të luftës dhe mizorive të tjera të kryera nga Rusia në Ukrainë. Kjo është një përpjekje e Uashingtonit për ta mbajtur Moskën përgjegjëse për veprimet e saj Ukrainë.

Departamenti i Shtetit në një deklaratë tha se i ashtuquajturi Observator i Konfliktit do të përfshijë dokumentimin, verifikimin dhe shpërndarjen e provave të veprimeve të Rusisë në Ukrainë. Raportet dhe analizat do të publikohen në faqen e internetit të Observatorit të Konflikteve.

Presidenti amerikan Joe Biden ka kritikuar Rusinë për ato që ai i quan "krime të mëdha lufte" të kryera në Ukrainë dhe ka theksuar vendosmërinë e tij për ta mbajtur Moskën përgjegjëse për nisjen e luftës më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Qeveria e Kievit ka akuzuar Rusinë për mizori dhe brutalitet kundër civilëve gjatë agresionit dhe thotë se ka identifikuar më shumë se 10,000 krime të mundshme lufte.

Rusia mohon të ketë vënë në shënjestër civilët dhe thotë, pa prova, se janë inskenuar pamjet e mizorive në Ukrainë.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se programi i ri, i cili po krijohet me një investim fillestar prej 6 milionë dollarësh, do të analizojë dhe ruajë informacionin, duke përfshirë imazhet satelitore dhe informacionin e shpërndarë në mediat sociale, në mënyrë që të mund të përdoret në mekanizmat e llogaridhënies në të ardhmen.

"Ky program i ri, Observatori i Konflikteve, është pjesë e një sërë përpjekjesh të qeverisë amerikane në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, që ka për synim të sigurohet që Rusia të mbahet përgjegjëse në të ardhmen për veprimet e saj të tmerrshme", thuhet në deklaratë.

Një gjykatë ukrainase mbajti një seancë paraprake të premten në gjyqin e parë për krimet e luftës që nga fillimi i sulmit rus më 24 shkurtit, duke akuzuar një ushtar rus të kapur për vrasjen e një civili 62-vjeçar.

Rusia ka bombarduar rëndë shumë qytete dhe qindra trupa të civilëve janë gjetur në qytetet urkainase pas tërheqjes së forcave ruse. Rusia e quan sulmin e saj një operacion special për çmilitarizimin e Ukrainës. Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë thonë se ky është një pretekst i pabazë për fillimin e një lufte të paprovokuar.

XS
SM
MD
LG