Lidhje

Familjet e viktimave të sulmit në Nju Jork flasin për jetët e humbura


Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden shkuan në Buffalo të Nju Jorkut, të martën për të nderuar familjet e 10 viktimave afrikano-amerikane, që humbën jetën kur një person i vetëm i armatosur hapi zjarr në një supermarket. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Laurel Bowman, presidenti fajësoi mediat, politikanët dhe internetin për përhapjen e ideologjisë së rrezikshme supremaciste, të cilën vrasësi i armatosur duket se ka ndjekur.

Familjet e viktimave të sulmit në Nju Jork flasin për jetët e humbura
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:18 0:00

Trishtim i papërshkrueshëm mes familjeve të dhjetë viktimave nga sulmi i të shtënave në Buffalo, Nju Jork. Javën e kaluar Celestine Chaney kishte ditëlindjen. Sot familja e saj mban zi për vdekjen e saj.

“Jam djali i vetëm i Celestine Chaney … fëmija i saj i vetëm. Ndjej zemërim. Urrejtje”, thotë Wayne Jones.

Celestine Chaney ishte një nga dhjetë afrikano-amerikanët, kryesisht më të moshuar, të vrarë nga një person i vetëm, i armatosur, i cili i qëlloi në dyqanin ushqimor ndërsa transmetonte ngjarjen drejtpërdrejt në internet.

Wayne Jones e pa vdekjen e nënës së tij në kohë reale në internet.

“E qëlloi një herë nënën time. Ajo u shtri përtokë. Ai shkoi e rimbushi armën dhe e qëlloi përsëri nënën time”.

I dyshuari 18-vjeçar, Payton Gendron, deklaroi në gjykatë se ishte i pafajshëm për akuzat për vrasje të shkallës së parë. Autoritetet thonë se ai përkrahte në internet teoritë e supremacizmit të bardhë dhe se besonte se emigrantët po e kthejnë racën e bardhë në minoritet.

Është një teori e ngjashme me atë të personit të armatosur në qytetin Christchurch të Zelandës së Re të vitit 2019, i cili hapi zjarr në dy xhami, duke vrarë më shumë se 50 njerëz.

Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden bënë nderimet e tyre për viktimat dhe u takuan në një seancë me dyer të mbyllura me familjet e tyre. Më pas presidenti foli për publikun.

"Ajo që ndodhi këtu është e thjeshtë dhe e qartë - terrorizëm ... terrorizëm, terrorizëm i brendshëm, dhunë e shkaktuar nga urrejtja // urrejtja që,... interneti nëpërmjet medias dhe politikës ka radikalizuar individë të zemëruar, tjetërsuar, humbur dhe izoluar duke besuar në mënyrë të rreme se do të zëvendësohen // nga të tjerët, nga njerëz që nuk u ngjajnë atyre”, tha presidenti.

Sulmi në Buffalo dhe të tjera incidente të ngjashme kanë bashkuar përsëri grupet që mbështesin kontrolle më të forta të shitjes së armëve në Shtetet e Bashkuara, të cilët thonë se është shumë e lehtë të blesh një armë zjarri.

“Duhet të ndërgjegjësohemi se duhet të ketë kontroll të arsyeshëm të armëve në këtë vend dhe se një incident si ky mund të ndodhë kudo në këtë vend… në zonat urbane, periferike, rurale… nuk ka rëndësi”, tha kryetari i bashkisë së Bufalos, Byron Brown.

Në fakt, pati katër incidente me vrasje masive në Shtetet e Bashkuara këtë fundjavë, duke përfshirë atë në një kishë në Kaliforni.

Për të gjitha familjet e viktimave, ato ishin jetë të çmuara, të humbura para kohe.

“Motra ime i mbijetoi kancerit të gjirit dhe tre operacioneve të aneurizmës për të shkuar në dyqan ushqimor e për t'u vrarë”, thotë Joann Chaney, motra e Celestine Chaney-it.

“Ne të gjithë jemi thjesht njerëz. Po t’i heqim të gjitha etiketimet të gjithë jemi njësoj dhe dikush do të lëndohet nëse largohesh, sepse nuk kthehesh më", thotë Wayne Jones, djali i viktimës.

XS
SM
MD
LG