Lidhje

Vdes në moshën 71 vjeçare gazetari Dalip Greca


Kryeredaktori i gazetës shqiptaro-amerikane "Dielli" të Federatës Panshqiptare Vatra, Dalip Greca, ndërroi jetë më 16 maj në moshën 71 vjeçare në Nju Jork.

Zoti Greca udhëhoqi për 12 vite gazetën shqiptaro-amerikane Dielli.

Gazeta Dielli është organi më i vjetër mediatik në gjuhën shqipe, themeluar para 113 vitesh dhe që vazhdon të botohet ende.

Faqet e gazetës që vazhdon të informojë komunitetin shqiptaro-amerikan kanë qenë një pasqyrë e furtunave historike nëpër të cilat ka kaluar kombi shqiptar, por edhe një forum për opinione e për debatin e hapur publik. Gjatë karrierës së tij zoti Greca punoi edhe në gazetat "Iliria", “Republika” dhe “Ora e Fjalës”.

Kryetari i Federatës Panshqiptare Vatra, Elmi Berisha tha se vdekja e zotit Greca është një humbje e madhe për komunitetin shqiptar në ShBA, miqtë, shtypin dhe kombin.

“Një largim fizik që lë pas shumë trishtim, keqardhje e dhimbje të thellë tek familja, miqtë e bashkëpunëtorët. Ne do ta kujtojmë e respektojmë përjetë kontributin tënd të shquar, përkushtimin në punët që bëje, korrektësinë, besnikërinë, e përkushtimin ndaj komunitetit, miqve, shtypit dhe kombit shqiptar”, shkroi zoti Berisha.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të premten në Bronks të Nju Jorkut.

XS
SM
MD
LG