Diplomatët e pesë vendeve kryesore perëndimore i bënë sërish të premten thirrje qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilin Manastirit mesjetar të Deçanit, i njihet e drejta e pronës në mbi rreth 23 hektarë tokë.
Në një komunikatë të përbashkët, shefat e misioneve të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, kujtuan se vendimi për pronat e manastirit, rreth 90 kilometra në perëndim të Prishtinës, ishte marrë në maj të vitit 2016.
“Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar”, thuhet në komunikatë në të cilën nënvizohet se “zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.
Duke theksuar siç thuhet mbështetjen për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës, diplomatët sërish i bënë thirrje qeverisë së Kosovës që, “në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”.
Thirrjeve iu bashkua edhe shefi zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog duke theksuar se me zbatimin e vendimit do të rikonfirmohej përkushtimi ndaj sundimit të ligjit.
Në muajin shtator të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se e ka njoftuar kryeprokurorin e Shtetit, për moszbatimin e vendimit të saj.
Qeveria nuk u përgjigj në interesimin e Zërit të Amerikës për këtë çështje.
Më herët kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte zotuar se qeveria e tij do të angazhohet maksimalisht "që të ruhen të drejtat e ligjshme të Manastirit por edhe udhëheqësit fetar duhet ta bëjnë punën e tyre duke kërkuar zgjidhje përmes dialogut e marrëveshjes me popullatën lokale".
Komuna e Deçanit, ka ritheksuar në shumë raste se këto prona janë të dy ndërmarrjeve publike dhe se Gjykata Kushtetuese ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, kur administrata serbe i kishte kaluar në pronësi të manastirit ato toka.