Lidhje

“Ditët e Qendresës” mesazh për të mos harruar krimet e komunizmit në Shqipëri


Shkodër-Albania

“Ditët e Qëndresës” nisën sot nga qyteti i Shkodrës ku, ish të përndjekurit politikë, familjarë të viktimave të periudhës së komunizmit dhe autoritetet vendore u mblodhën përpara memorialit që i kushtohet qëndresës së ish të burgosurve.

Kryetari i shoqatës së ish të burgosurve politikë, Zenel Drangu, tha se kjo bëhet në shenjë nderimi për mijëra të burgosurit, të internuarit dhe viktimat e dhunës së regjimit komunist, shumë prej të cilëve, edhe pas 30 vitesh nga rrëzimi i komunizmit, ende nuk u dihet vendvarrimi.

“Ditët e Qëndresës”, mesazh për të mos harruar krimet e komunizmit në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

“Ditët e Qëndresës” organizohen nga shoqata e ish të burgosurve politikë dhe komisioni “Drejtësi dhe Paqe”.

“Kjo është ditë përkujtimore në përkujtim të gjithë të pushkatuarve me gjyq dhe pa gjyq si dhe në përkujtim të revoltës së Spaçit dhe atë të Qafë Barit. Shkodra ka 601 të pushkatuar dhe 3 mijë të burgosur si dhe 1900 familje që janë internuar”, tha zoti Drangu.

I dënuar me 25 vite burgim për arratisje drejt ish-Jugosllavisë, Zenal Drangu, i cili sot drejton shoqatën e ish të burgosurve politikë të Shkodrës, tregon për kushtet çnjerëzore në ish kampin e punës të Spaçit, ku ai kaloi vitet e dënimit.

“Që të jetosh me 3.5 gram voj me vite të tana, me 7 gram sheqer që ishte normative, me 200 gram zarzavade dhe 600 gram bukë, kjo sot asht e pabesueshme, po kjo asht ajo jetesa që ne kemi kalu nëpër burgje”, thotë ai.

Për drejtuesin e komisionit “Drejtësi dhe Paqe”, Luigj Mila, shoqëria shqiptare ende nuk është ballafaquar siç duhet me të kaluarën komuniste, ç’ka dëshmohet edhe me rishfaqjen herëpashere në publik të simboleve të periudhës së komunizmit.

Ai thotë se, është e padrejtë që edhe 30 vite pas rrëzimit të diktaturës, mijëra shqiptarë, viktima të regjimit komunist, vazhdojnë të cilësohen si të humbur.

“Duhet të vazhdojmë, se jemi shumë mbrapa në kohë, sidomos përsa i takon të humburve. Dhe, me këtë rast, dëshirojmë të bëjmë homazhe dhe të ngrejmë zërin për mijëra të tjerë që janë zhdukur dhe që shteti, organizatat shtetërore dhe jo shtetërore, nuk po e kryejnë detyrën për rigjetjen e tyre. Dua të theksoj këtu faktin se ne kemi 38 martirë të kishës katolike dhe vetëm 10 prej tyre janë gjetur. Pra kemi 28 të tjerë që nuk janë gjetur”, thotë zoti Mila.

Ndërkohë, thotë zoti Mila, objektet e represionit komunist, siç ishin kampet e punës në Qafë Bari, Spaç apo Tepelenë, thuajse janë shkatërruar gjatë viteve duke zhdukur, nga dita në ditë, edhe gjurmët e krimeve të komunizmit.

“Aq më tepër që janë disa objekte shumë të famshme, siç janë burgu i Burrelit dhe burgu i Tiranës, të cilët vazhdojnë të përdoren për të dënuar ordiner dhe aty janë luajtur tragjedi shumë të mëdha, janë njerëz të varrosur, njerëz të humbur. Kemi raste që aty kërkohen tash 30 vite dhe, jo vetëm që nuk janë gjetur, por nuk kemi shpresë që t’i gjejmë”, thotë ai.

Në Shqipëri, gjatë 30 viteve të fundit janë bërë përpjekje të herëpashershme, kryesisht nga familjarët, për zbulimin e vendvarrimit të kundërshtarëve politikë. Deri tani nuk ka një të dhënë të saktë për numrin e përsonave, të cilëve u është gjetur vendvarrimi. Ndërkohë, si Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit, ashtu edhe Komisioni Ndërkombëtar për Gjetjen e të Zhdukurve, deklarojnë se është rreth 6 mijë numri i përsonave të zhdukur gjatë regjimit komunist.

XS
SM
MD
LG