Lidhje

Lufta në Ukrainë dhe tregjet bujqësore shqiptare


Lushnje- Albania
Lushnje- Albania

Prodhimi bujqësor në Shqipëri po gjen sfida të reja pas pasojave globale të luftës në Ukrainë. Rritja e çmimit të plehrave kimike, të gazit dhe naftës po bën që në disa nga zonat kryesore të vendit fermerët të dalin me humbje në prodhimet e stinës. Nevojat e tregut vendas dhe ndërkombëtar janë rritur, sidomos për drithërat, por prodhimi i tyre ka rënë ndjeshëm vitet e fundit.

Lufta në Ukrainë dhe tregjet bujqësore shqiptare
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:19 0:00

Në një sipërfaqe prej 3,6 hektarësh në Divjakë të Lushnjës në një serë moderne xhami prodhohen çdo vit mbi 15 milionë fidanë perimesh për tregun shqiptar por edhe atë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut , Malit të Zi dhe më gjerë.

Josif Goreja që drejton ndërmarrjen “Lisar Seedlings” zbatuar nga një model hollandez i serave këtë vit e sheh mjaft të vështirë situatën prej rritjes së kostove.

“Pandemia në përgjithësi nuk e preku bujqësinë, më së shumti sepse njerëzit kishin nevojë për të ngrënë dhe kjo ishte një përparësi e sektorit tonë dhe ne punuam. Por vështirësitë ne na erdhën nga lufta në Ukrainë dhe nga çmimet e çmendura të naftës ,gazit dhe energjisë elektrike. Tani po shikojmë nga bilanci fundvitit që kemi fituar shumë pak ose hiç fare”.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Divjakës Fredi Kokoneshi thotë se ky është një vit delikat për sektorin bujqësor, por fermerët nuk e kanë ndalur ciklin e punëve.

“Në këtë situatë sektori i bujqësisë është një sektor delikat , i vështirë sepse kjo pjesa e luftës në Ukrainë ka dhënë vëvshtirësitë e para, natyrisht dhe kjo pjesa e ngritjes së çmimeve të plehrave kimike. Divjaka është një bashki e konsoliduar në prodhimin bujqësor dhe ajo që e bën ndryshe nga shumë bashki të tjera është se njerëzit nuk tërhiqen, janë mjaft punëtorë dhe punojnë në kushte shumë të vështira”.

Zoti Kokoneshi thotë më tej se disa produkte po shiten nën kosto dhe kjo e bën më të vështirë ekonominë e fermerëve.

“Në krahasim me produktet e tjera që kanë ngritje në çmime ndërkohë që për ta prodhuar ka kosto dhe shitja është shumë e vështirë shikojmë se disa produkte po shiten nën kosto”.

Ndërsa zoti Goreja thotë se tregu evropian ka krijuar nevoja të mëdha, por sipas tij bujqit shqiptarë duhen mbështetur për të rritur nivelin dhe cilësinë e prodhimit.

“Këto çmime nuk kanë goditur vetëm tregun shqiptar por edhe tregun hollandez. Në tregun hollandez 50 % e serave kanë lënë punën sepse nuk mund të përballojnë dot çmimet e larta të gazit që do të thotë ka një vakum të madh për furnizimin e tregut europian. Që do të thotë që ka nevojë për produkte shqiptare, që dotë thotë që çmimet e perimeve të të gjithë zonave të mbrojtura (të serave) janë shumë të larta.Por fermerët shqiptarë duhet të mbështeten të rrisin prodhimin bujqësor dhe cilësinë e prodhimeve”.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Divjakës Fredi Kokoneshi thotë se lufta në Ukrainë ka nisur të ndryshojë edhe trendin e prodhimit bujqësor duke përmendur interesimin që është rritur për drithërat.

“Unë mendoj që ne duhet të flasim me femerët që lufta na ka ndryshuar dhe pak trendin, pra duhet të jemi të kujdesshëm dhe të krijojmë një bilanc mes eskportit dhe importit. Duhet të punojmë dhe kemi nisur të flasim me fermerët, që për sa i përket drithërave ata duhet ta kenë dhe si prioritet.”

Në këto vështirësi të fermerëve prej rritjes së çmimeve për plehrat kimikë dhe punimit të tokës zoti Goreja thotë se qeveria duhet të përmirësojë rimbursimet ndërkohë që edhe sektori bankar sipas tij aktualisht vepron pak në bujqësi dhe ka interesa të larta bankare.

“Sumbvencionet janë një ndihmë e madhe që duhet të jepej kur ato janë saktë por në Shqipëri sumbvencionet direkte kanë disa problematika që qeveria duhet t`i përmirësojë dhe besoj do ti përmirësojë”. Ndërsa në lidhje me sistemin bankar mbështetja bankare është pak problematike sepse vlerësohet se Shqipëria është një vend me rrisk dhe interesi bankar është më i lartë krahasuar me vendet e rajonit, është shumë më i lartë.

Rajoni i Divjakës përfshihet në Qarkun e Fierit që zotëron rreth 122 mijë hektar tokë bujqësore dhe është zona me sipërfaqen më të madhe të tokës bujqësore të punueshme dhe me mundësi ujitjeje në Shqipëri.

Sipas të dhënave zyrtare nga 122 mijë hektarë tokë bujqësore pjesa dërrmuese e saj prej 90 mijë hektarë është mbjellë me bimë arash ku 51% e zënë foragjeret për bagëtitë dhe vetëm 49% e tokës së mbjellë përdoret për produkte për konsum nga popullata. Kjo pasi fermerët kanë vështirësi me gjetjen e tregut për prodhimet bujqësore për popullatën.

XS
SM
MD
LG