Lidhje

SHBA-Koreja e Jugut, gatishmëri të lartë ushtarake përballë rrezikut nga Koreja e Veriut


Presidenti Joe Biden dhe Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk-youl duke kaluar përpara rojes së nderit në Seul (21 maj 2022)

Nga Seuli, Presidenti amerikan Joe Biden sinjalizoi angazhimin e përbashkët me Korenë e Jugut për një gatishmëri më të lartë ushtarake përballë provave më të fundit me raketa nga Koreja e Veriut, e cila po përballet gjithashtu me një valë të lartë infektimesh nga COVID-19. Presidenti amerikan konfirmoi se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar të ndihmojnë me vaksina Korenë e Veriut dhe Kinën, por se nuk kanë marrë përgjigje.

SHBA-Koreja e Jugut, gatishmëri të lartë përballë rrezikut nga Koreja e Veriut
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:05 0:00

Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol sinjalizuan për një gatishmëri më të lartë ushtarake ndërkohë që Koreja e Veriut ka bërë disa testime raketash balistike dhe ndoshta edhe një provë bërthamore.

“Sot, President Yoon dhe unë u zotuam të forcojmë angazhimin tonë dhe të punojmë së bashku për t’u përballur me sfidat e sigurisë rajonale dhe rrezikun që përbën Koreja e Veriut duke forcuar gatishmërinë tonë parandaluese dhe për të punuar së bashku për çnuklearizim të plotë të Gadishullit Korean”, tha Presidenti Biden gjatë një konference për shtyp në Seul.

Koreja e Jugut ishte ndalesa e tij e parë gjatë një vizite gjashtëditore në Korenë e Jugut dhe në Japoni.

Dy presidentët ranë dakort për organizimin e stërvitjeve më të mëdha ushtarake dhe dislokimin e armatimit amerikan për të parandaluar veprimet destabilizuese të Koresë së Veriut.

“Diskutuam dislokimin e mjeteve të ndryshme strategjike, përfshirë avionë luftarakë dhe raketa, si dhe vendosëm të vazhdojmë konsultime të detajuara mes këshillave të sigurisë kombëtare të të dy vendeve”, tha Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-Yeol.

Presidenti Biden shtoi se Uashingtoni ka ofruar të ndihmojë me vaksina ndaj COVID-19, madje edhe Kinën dhe Korenë e Veriut.

“I kemi ofruar vaksina, jo vetëm Koresë së Veriut, por edhe Kinës. Jemi të gatshëm ta realizojmë menjëherë. Nuk kemi marrë përgjigje. Për sa i përket çështjes nëse do ta takoja udhëheqësin e Koresë së Veriut, kjo do të varet nëse do të tregohej i sinqertë dhe serioz”¸ tha Presidenti Biden.

Koreja e Veriut ka njoftuar shifra të larta pacientësh me COVID-19 për disa ditë me radhë, por ky vend nuk disponon vaksinat e duhura apo ilaçet moderne për të luftuar pandeminë.

Dy presidentët thanë se aleanca e hershme prej dekadash mes dy vendeve do të angazhohet edhe për një rajon Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur për tregtinë, duke ruajtur kështu zinxhirimin global të furnizimit. Me dëshirën për të luajtur një rol më të madh në çështjet rajonale, Koreja e Jugut njoftoi se do të bëhet pjesë e iniciativës Kuadri Ekonomik Indo-Paqësor (IPEF) që Presidenti Biden do ta shpallë gjatë kësaj vizite të tij në Azi.

XS
SM
MD
LG