Lidhje

Talebanët urdhërojnë drejtueset e lajmeve të mbulojnë fytyrën


Në Afganistan, Talebanët filluan të dielën të zbatojnë një urdhër sipas së cilit të gjitha prezantueset e lajmeve duhet të mbulojnë fytyrën gjatë transmetimit.

Urdhri është në vazhdën e masave të vijës së ashpër që është dënuar nga aktivistët e të drejtave të njeriut.

Të dielën, shumica e drejtueseve të lajmeve femra u shfaqën me fytyra të mbuluara pasi qeveria Talebane filloi të zbatonte dekretin.

Ministria e Informacionit dhe Kulturës kishte njoftuar më parë se vendimi ishte "përfundimtar dhe i panegociueshëm".

Një drejtuese lajmesh në televizionin TOLOnews tha se mbulimi i fytyrës është një kulturë e imponuar.

Pasi rimorën pushtetin në gush të vitit të kaluar, Talebanët u dukën se do t’i moderonin qëndrimet e tyre ndaj grave krahasuar me kohën kur ishin në pushtet në vitet 1996-2001.

Por javët e fundit, ata i janë rikthyer vijës së ashpër, duke konfirmuar shqetësimet e aktivistëve të të drejtave dhe duke komplikuar më tej marrëdhëniet e Talebanëve me komunitetin ndërkombëtar.

Në fillim të këtij muaji, talebanët urdhëruan të gjitha gratë në publik të mbulohen nga koka te këmbët, duke lënë t’u duken vetëm sytë.

Dekreti thoshte se gratë duhet të largohen nga shtëpia vetëm kur është e nevojshme dhe se të afërmit meshkuj do të dënohen nëse grate shkelin kodin e veshjes së grave.

Udhëheqja talebane ka ndaluar gjithashtu vajzat që të ndjekin shkollën pas klasës së gjashtë, duke kthyer mbrapsht premtimet e mëparshme të zyrtarëve talebanë se vajzave të të gjitha moshave do t'u lejohej arsimimi.

XS
SM
MD
LG