Programi “Gratë në energji” i Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit” në Kosovë, ka arritur të shkollojë 26 vajza në Shtetet e Bashkuara, shumica prej të cilave tashmë janë punësuar në sektorin e energjisë në Kosovë. Përfaqësues të kësaj korporate thonë se synimi i programit, që përfundon këtë muaj, ishte që nëpërmjet shkollimit dhe përgatitjes profesionale, të rritet shkalla e përfshirjes së grave në sektorin e energjisë.
Albiona Lalinovci, studimet themelore i ka ndjekur para disa vitesh në Universitetin e Prishtinës për inxhinieri elektrike.
Në vitin 2019, ajo u bë pjesë e një grupi prej 26 vajzash, të cilat fituan bursa shkollimi në Amerikë, në kuadër të projektit “Gratë në Energji” të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit, që synon shkollimin dhe punësimin e vajzave në këtë fushë.
“Gjatë vitit 2019 kam marrë lajmin se po hapet një program për bursa për gratë në energji i cili është i financuar nga qeveria amerikane, aty ka qenë edhe hera e parë që kam dëgjuar për Fondacionin e Mijëvjeçarit. Unë e kam parë si mundësi shumë të mirë që të vazhdoj studimet jashtë vendit kështu që kam aplikuar. Procesi i aplikimit ka qenë mund të them i thjeshtë dhe i lehtë, në aspektin administrativ”, thotë Albiona.
Ajo thotë se studimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte një përvojë e dobishme për secilin student.
“Komunikimi me njerëz të kulturave të ndryshme ka ndikuar pozitivisht në ngritjen e aftësive sa i përket komunikimit ndërkulturor dhe gjuhëve të huaja. Gjithashtu kjo ka ndikuar që të jemi më të hapur në aspektin e pikëpamjeve tona sa i takon temave të ndryshme. Pastaj krijimi i një rrjeti më global të njerëzve na ka dhënë mundësi që ne të bëjmë përpara në karrierën tonë, duke na ofruar mbështetje sa i përket punësimit, referencave, mentorimit e të tjera”, thotë ajo.
Gresa Statovci nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit, i tha Zërit të Amerikës se përveç bursave, projekti “Gratë në Energji” me një vlerë të përgjithshme prej afro një milion dollarësh, u ka mundësuar edhe 235 vajzave punë praktike në këtë fushë në gjithë Kosovën.
“Deri tani kemi pasur goxha sukses në këtë program. Prej vajzave që janë kthyer nga Amerika, rreth 89 për qind e tyre janë punësuar në sektorin e energjisë në Kosovë. Për punë praktike synimin e kemi pasur për 200 vajza por kemi arritur në 235 dhe kemi përqindje mjaft të lartë të vajzave që po ndalen në punë me kontratë të rregullt pas përfundimit të punës praktike në kompanitë që i kemi dërguar ne”, thotë ajo.
Albiona, ka diplomuar në Universitetin e Demoinit në Ajova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për inxhinieri në vitin 2021. Po atë vit ajo është kthyer në Kosovë dhe tash drejton departamentin për energji të ripërtërishme në kompaninë e shpërndarjes së energjisë në Kosovë - KEDS.
“Ne si KEDS jemi të përkushtuar që ta ndihmojmë sektorin e energjisë të Kosovës që t’i arrijë synimet e përcaktuara për integrimin e burimeve të ripërtërishme. Jam me fat që jam në krye të këtij departamenti ku mund të arrijë të jap kontributin tim në sektorin e energjisë”, thotë ajo.
Sipas të dhënave zyrtare, gratë në Kosovë janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor. Zonja Statovci, thotë se vetëm dhjetë për qind e grave janë të përfshira në sektorin e energjisë dhe se synimi i këtij programi ishte ndryshimi i kësaj gjendjeje.
“Në anën tjetër ka investime të shumta milionëshe të cilat po bëhen në sektorin e energjisë. Prandaj e kemi parë të arsyeshme që studimi i vajzave si dhe përgatitja e tyre në praktikë profesionale do ta rriste përqindjen e përfshirjes së tyre në këtë sektor. Gjithashtu të rrisim mundësitë e qasjes së tyre në këto investime të mëdha që po bëhen në sektor”, tha ajo.
Projekti “Gratë në Energji” ishte pjesë e programit të parë të Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit” në Kosovë, në vlerë prej 49 milionë dollarëve, i cili ishte miratuar në vitin 2017 dhe përfundon këtë vit.
Ndërsa para pak kohe qeveria e Kosovës dhe Korporata Amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit kanë përmbyllur në Uashington një marrëveshje të re “kompakt” me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh.