Lidhje

Ndërron jetë ish presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani


Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndërroi jetë të shtunën në Gjermani, ku po trajtohej për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Ish presidenti Nishani vuante prej kohësh nga një sëmundje auto-imune dhe gjendja e tij u rëndua nga pasojat e COVID-19.

Bujar Nishani shërbeu si president i Shqipërisë nga viti 2012 deri në vitin 2017.

I lindur në Durrës më 29 shtator të vitit 1966, ai mbaroi studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë, në vitin 1988. Në vitin 1996 përfundoi studimet pasuniversitare në Kaliforni, ndërsa në vitin 2004, përfundoi studimet për Jurisprudencë në Universitetin e Tiranës. Një vit më pas mori titullin “Master”, në Studimet Evropiane në këtë universitet.

Zyrtar i lartë i Partisë Demokratike ai shërbeu si ministër i Mbrojtjes, ministër i Drejtësisë dhe ministër i Brendshëm para se të zgjidhej president.

Ish-presidenti Nishani la pas vetes gruan dhe dy fëmijë.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, u shpreh i trishtuar me lajmin për vdekjen e ish presidentit Nishani.

“Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion. Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt. I paharruar kujtimi i President Nishanit! Të prehet në paqen e merituar!”, shkroi presidenti Meta.

Ambasada amerikane në Tiranë shprehu pikëllimin për ndarjen nga jeta të ish presidentit Nishani.

“Kontributi i tij për Partinë Demokratike, zhvillimin e Shqipërisë dhe marrëdhëniet SHBA-Shqipëri gjatë mandateve të tij si President dhe Ministër do të mbahen mend nga bashkatdhetarët, bashkëpunëtorët dhe partnerët e shumtë”, thuhet në një postim të ambasadës amerikane në rrjetet sociale.

Kosova kujton ish presidentin Nishani

Udhëheqës institucionesh e partish politike në Kosovë ngushëlluan familjen e ish presidentit Nishani dhe institucionet e Shqipërisë.

“Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit. Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet”, shkroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh i pikëlluar me lajmin për ndarjen nga jeta të ish presidentit Nishani.

“Do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër. Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar. Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo. I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij”, shkroi mes tjerash kryeministri Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e cilësoi ish presidentin Nishani “ndër burrështetasit e mëdhenj të Shqipërisë”.

“Punëtor i palodhshëm, njeri i edukuar, bashkëpunëtor besnik e patriot. Kështu do ta kujtojmë përherë figurën dhe personalitetin e shquar të Bujar Nishanit, që tërë veprimtarinë e tij politike ia kushtoi shtetit të Shqipërisë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshqiptare”, shkroi ai.

“Do të kujtohet përherë si udhëheqës me integritet dhe kontribuues i madh për demokracinë në Shqipëri. U prehtë në paqe!”, shkroi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

XS
SM
MD
LG