Lidhje

Ndalohen zyrtarë të urbanistikës dhe kadastrës në Sarandë për tjetërsim pronash


Policia ndaloi të mërkurën drejtorin e Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës, Pandi Zhonga, juristen e Zyrës së Kadastrës Rovena Alikaj dhe noterin Aleko Anagnosti, pas një urdhëri të Prokurorisë që po i heton ata për “shpërdorim detyre”.

Sipas burimeve jozyrtare prokuroria e Sarandës ka ngritur dyshimet se tre të ndaluarit kanë kryer tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metrash katrorë tokë, nga truall shtetëror në pronësi të individëve, të cilët më pas kanë ndërtuar.

Dyshohet se tjetërsimi i sipërfaqes të jetë kryer përmes falsifikimit të dokumenteve, miratimit të lejeve të ndërtimit nga bashkia e Sarandës dhe hipotekimit më pas në zyrën e kadastrës.

Polica ka ndaluar edhe personat që kanë përfituar nga ky tjetërsim, Fredi Mërkurin, Valter Llomin dhe Argonida Canaj, të cilët akuzohen “për falsifikim".

Sipërfaqja e tjetërsuar nga tokë shtetërore në pronësi të individëve shërbente si hapësirë e gjelbër, në zonën e Kanalit të Çukës që përfshihet në bashkinë e Sarandës.

Pak kohë më parë Prokuroria e Sarandës kishte urdhëruar ndalimin e disa zyrtarëve të Kadastrës, të akuzuar po për shpërdorim detyre në tjetërsimin e trojeve të ndërtimit.

Zonat në bregdetin jugor të Shqipërisë nga Vlora në Sarandë paraqesin interes të lartë për investitorët e ndërtimit për shkak të potencialit turistik.

XS
SM
MD
LG