Lidhje

Përcillet me nderime ish presidenti Bujar Nishani

Në Shqipëri u mbajt sot një ditë zi kombëtare në nderim të ish presidentit Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta fundjavën e kaluar.

Shqipëri, përcillet me nderime ish presidenti Bujar Nishani
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:13 0:00

Në ceremonitë mortore, të mbajtura në presidencë, morën pjesë politikanë, diplomatë e udhëheqës të njohur shtetërorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Ish presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, u përcoll sot me nderime nga presidenca në varrezat publike të kryeqytetit pas ceremonive zyrtare, ku morën pjesë përfaqësues të lartë parlamentarë, shtetërorë e diplomatikë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi.

Në ceremonialin e nderimit morën pjesë ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, si dhe diplomatë të shteteve aleate perëndimore.

Kryetarja e parlamentit, Lindita Nikolla, anëtarë të grupeve parlamentare, anëtarë të qeverisë shprehën ngushëllimet e tyre familjarëve të zotit Nishani gjatë ceremonive në sallën kryesore të selisë së presidencës, ku familja dhe të afërmit e tij kanë pritur vizita.

“Bashkë me kolegë, ministra dhe deputetë, jemi sot në institucionin e presidentit të Republikës për t’i dhënë lamtumirën e fundit një shtetari të respektuar si Bujar Nishani. Gjatë ushtrimit të detyrës si president i Republikës, presidenti Nishani tregoi në momentet e duhura vlerësimin maksimal për Kushtetutën dhe respektin ndaj institucioneve” - tha Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Në ceremonitë nderuese mori pjesë e shoqëruar nga shumë politikanë të Prishtinës edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, politikanë të njohur nga Shkupi e Podgorica si dhe ish presidentë të Shqipërisë në mandate të kaluara.

Nderime të vecanta shënuan politikanë të opozitës, prej nga zoti Nishani nisi karrierën e tij politike dhe ku ishte për disa vite president nderi në forumet e larta drejtuese të Partisë Demokratike.

“Ikja nga kjo botë e njerëzve si Bujar Nishani është ikja e një copëze historie për cilindo që e kanë njohur dhe që bashkëpunuar me të. Bashkë me të ikën edhe një copëz historie e një burri të urtë e të qetë, që lëshonte vetëm sinjale paqeje dhe mirësie. Këto sinjale janë të pakta në botën tonë të trazuar dhe kjo e bën edhe më të madhe dhimbjen dhe humbjen e zotit Nishani” - tha Enkelejd Alibeaj, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Ceremoniali kulmoi me një fjalë nderimi nga Presidenti Ilir Meta, i cili tha se zoti Nishani ishte një nga politikanët dhe shtetarët më të përgjegjshëm dhe më seriozë në çdo detyrë politike dhe shtetërore, por si President i Republikës ai ishte një mbrojtës i shkëlqyer i Kushtetutës, i interesit publik dhe kombëtar, i demokracisë.

“I ardhur në politikë nga Forcat e Armatosura, Presidenti Nishani solli virtytet më të mira të ushtarakëve tanë në jetën politike dhe institucionale të vendit. Ai mishëroi integritetin, ndjenjën e lartë të detyrës dhe patriotizmin. Bujar Nishani e shihte politikën si artin e së mundshmes, dhe besonte se ajo ishte instrumenti më efektiv për të sjellë ndryshime pozitive. Bujar Nishani besonte te demokracia dhe shteti ligjor” - tha presidenti Meta.

Ish presidenti Nishani u nda nga jeta në një spital në Gjermani ku ai u shtrua për shkak të komplikacioneve post-Covid në mushkëri dhe ku po trajtohej për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Zoti Nishani vuante prej kohësh nga një sëmundje auto-imune dhe gjendja e tij u rëndua nga pasojat e COVID-19.

Bujar Nishani shërbeu si president i Shqipërisë, teksa ishte 46 vjec, nga viti 2012 deri në vitin 2017.

Para se të zgjidhej president zoti Nishani ishte ministër i Mbrojtjes, ministër i Drejtësisë dhe ministër i Brendshëm.

Ai kishte kryer studimet e larta në Akademinë Ushtarake “Skënderbeu” në vitet e fundit të diktaturës komuniste, si dhe studimet pasuniversitare në Kaliforni të SHBA në vitin 1996, për t’ju kthyer studimeve të jurisprudencës në kryeqytetin shqiptar.

This item is part of
XS
SM
MD
LG