Lidhje

Presidenti Biden, fjalim drejtuar kombit mbi dhunën me armë


Presidenti Joe Biden pritet të mbajë të enjten në mbrëmje një fjalim drejtuar kombit në lidhje me valën e fundit të sulmeve me armë, në një përpjekje për të rritur trysninë ndaj Kongresit për të miratuar kufizime më të rrepta ndaj armëve pas dështimit të disa iniciativave në këtë drejtim.

Fjalimi vjen pas sulmit me armë të javës së kaluar nga një 18-vjeçar, i cili vrau 19 nxënës dhe dy mësues në një shkollë fillore në Uvalde të Teksasit, si dhe një tjetër sulmi ditën e mërkurë në Tulsa të shtetit të Oklahomës, ku një person i armatosur qëlloi dhe vrau katër persona dhe më pas veten në një qendër mjekësore.

Këto dy ngjarje pasuan një tjetër sulm në 14 maj në Buffalo të Nju Jorkut, ku një supremacist 18-vjeçar i bardhë hapi zjarr në një supermarket duke vrarë 10 persona dhe duke plagosur tre të tjerë, në atë që autoritetet e kanë cilësuar si "ekstremizëm i dhunshëm me motive racore".

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Biden do të flasë për "sulmet e përgjakshme dhe nevojën që Kongresi të miratojë ligje të arsyeshme për të luftuar epideminë e dhunës me armë që po merr çdo ditë jetë njerëzish".

Më herët të enjten, nënpresidentja Kamala Harris duke iu referuar ngjarjes në Oklahoma, ripohoi përkushtimin e administratës për miratimin e ligjeve që garantojnë siguri në raport me zotërimin e një arme.

Nuk ka më justifikime. Vëmendja dhe lutjet janë të rëndësishme, por jo të mjaftueshme", tha zonja Harris. "Ne kemi nevojë që Kongresi të veprojë", shtoi ajo.

XS
SM
MD
LG