Lidhje

Lajçak: Agresioni rus në Ukrainë e ka bërë zgjerimin e BE-së të domosdoshëm


I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të premten se agresioni i Rusisë në Ukrainë e ka bërë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian të domosdoshëm ndërsa tërhoqi vërejtjen se blloku po humbet besimin në rajon.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati me temën "Tani ose kurrë: Zhbllokimi i së ardhmes evropiane për Ballkanin Perëndimor", që u mbajt në kuadër të forumit “GLOBSEC i Bratisllavës”. Pjesë e debatit ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç dhe i dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

“Ndryshimi dramatik i lojës ndodhi me luftën e Rusisë kundër Ukrainës që ka ndryshuar gjithçka dhe me gjithë tragjeditë, është gjithashtu një lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor, sepse lufta në Ukrainë, agresioni i Rusisë në Ukrainë e bëri procesin e zgjerimit përsëri politik dhe të gjithë e kuptojnë se ky nuk është një ushtrim teknik, nuk ka të bëjë me grupime dhe kuti të barabarta, por ka të bëjë në të vërtetë me zgjerim, ka të bëjë me këtë rajon që ka qenë pjesë e jona, duke ndarë vlerat tona dhe duke folur me të njëjtin zë”, tha zoti Lajçak.

Ai theksoi se gjatë viteve të fundit ka munguar përkushtimi i Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Në të njëjtën kohë ka qenë edhe një perceptim i gabuar që rajoni mund të presë, se rajoni tashmë është në një vend të sigurt dhe se nuk mund të ndodh asgjë në rajon dhe prandaj nuk kemi nevojë që të ngutemi dhe mund ndreqim punët tona së pari pastaj të merremi me Ballkanin Perëndimor. Tash kjo ka ndryshuar, sepse Bashkimi Evropian po humb popullaritetin dhe besueshmërinë në rajon në mënyrë dramatike dhe mund ta them se po bëhet çdo herë e më vështirë që të jemi në këso panelesh në rajon e të përfaqësojmë Bashkimin Evropian, sepse viteve të kaluara kemi ligjëruar në njëfarë mënyrë, por tash po na kritikojnë partnerët tanë”, tha ai.

Kovaçevski: Rënia e besueshmërisë së BE-së – shton nacionalizmin në Ballkan

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, hapja e negociatave të së cilës me BE-në për anëtarësim është bllokuar për shkak të vetos së Bullgarisë, tha se që Bashkimi Evropian duhet të dërgojë mesazh të qartë me një vendim të guximshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën përpara, pas muajit qershor.

“Tani Bashkimi Evropian i ka dy çështje në tryezë: një është vendimi për Ballkanin Perëndimor, ku në qoftë se nuk ka vendim do të bjerë besueshmëria dhe në momentin që kjo bie, rritet nacionalizmi që është veçanërisht i pashmangshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ne nuk duam që ta kemi këtë”, tha ai.

Gjukanoviç: Palët e treta po shfrytëzojnë boshllëqet në rajon

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, tha se mungesa e dukshme e përkushtimit të vendeve të BE-së për politikën e zgjerimit ka shtuar rreziqet për rajonin.

“Në këtë mënyrë kemi ardhur në situatën që vendet e Ballkanit Perëndimor të akuzojnë Bashkimin Evropian dhe nga e gjithë kjo, kanë përfituar vetëm palët e treta. Siç pritej, ato palë të treta hynë në një hapësirë gjeopolitike në të cilën nuk duhet të ketë zbrazësi. Problemi është se këto palë të treta hynë nga një platformë dukshëm anti-evropiane", tha presidenti Gjukanoviç, duke nënvizuar se Ballkani Perëndimor është një terren pjellor për gjëra të tilla, sepse ka ende shtete të dobëta në rajon ku Moska ende po mbështetet në ndjenjat pro-ruse.

"Si rezultat, mendoj se kemi agresionin e Rusisë në Ukrainë. Ne kishim paralajmërime në vitin 2016 me të njëjtin synim për të ndalur rrugën e Malit të Zi drejt NATO-s. Sot, Rusia përdor vetëm instrumente më brutale, por me të njëjtin qëllim, për të ndaluar Ukrainën që të anëtarësohet në NATO”, tha presidenti malazez.

Kurti: Nuk duhet të hapemi ndaj superfuqive të lindjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Ballkani ka nevojë për mbështetje nga Bashkimi Evropian si projekti më i rëndësishëm politik, ndërsa ritheksoi kundërshtimin ndaj nismave si “Ballkani i Hapur”.

“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të hapura drejt Bashkimit Evropian, NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar. Nuk mendoj që duhet të hapemi për disa superfuqi të Lindjes, pra ne jemi në rregull dhe ne mbështetemi shumë në Procesin e Berlinit 2.0 tash me një fillim të freskët nga kancelari gjerman, Olaf Scholtz. Ne mbështesim nismat rajonale me vlerat e Bashkimit Evropian brenda dhe me mekanizma evropianë për të na mbështetur dhe jo jashtë BE-së”, tha kryeministri Kurti.

Edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç tha se Ballkani i Hapur nuk bazohet në vlerat evropiane.

"Në vend të grumbullimit të nismave, pse të mos përfitoni nga Procesi i Berlinit. Mendoj se Ballkani i Hapur erdhi kur disa udhëheqës të zhgënjyer me efektivitetin e procesit të zgjerimit, krijuan një nismë paralele që është një mbështetje për vendet në rajon që ata mendojnë se nuk do të ketë një perspektivë evropiane. Ne mendojmë se kemi një vend në BE", tha presidenti Gjukanoviç.

Nismës “Ballkani i Hapur” që është hedhur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, e cila synon vendosjen e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon, nuk i janë bashkuar Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi.

Takimi i radhës i nismës “Ballkani i Hapur”, pritet të mbahet në Ohër, më 7 dhe 8 qershor dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevksi, i ka dërguar ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për pjesëmarrje, të cilën zoti Kurti e ka refuzuar.

Ditë më parë, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq paralajmëroi pjesëmarrjen në takimin e radhës të kësaj nisme, e cila kundërshtohet nga presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.

XS
SM
MD
LG