Lidhje

Shqipëri, një gjeneral për president. PS propozon Bajram Begajn, shefin e shtabit të ushtrisë


Gjeneral Bajram Begaj
Gjeneral Bajram Begaj

Shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare është kandidatura e përzgjedhur nga socialistët për postin e presidentit të ri të vendit. Emrin e tij e bëri publik kryetari i PS-së dhe kryeministri Edi Rama.

Zoti Rama e cilësoi atë si “shëmbëlltyra e atij normaliteti, qytetarie dhe sensi të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi për të cilin ajo zyra ka nevojë urgjente”, me një referencë të qartë ndaj presidentit aktual Ilir Meta, me të cilin shumica ka patur përplasje të gjata e të vazhdueshme.

Zoti Rama bëri të ditur se kandidatura e zotit Begaj, ishte përzgjedhur në mesin e shumë emrave, ku më parë ishin përjashtuar ata që i përkisnin grupit parlamentar socialist, e më pas dhe ata që kishin, në një farë mënyre, lidhje me partinë socialiste.

“Shefi i Shtabit të përgjithshëm është një nga profilet më të larta të një shteti, dhe eksperienca na tregon se ne radhën e presidentëve që kemi patur, ai që vinte nga forcat e armatosura është dhe presidenti që, jo sot mbahet mend për mirë, por që do mbahet mend shumë gjatë”, tha kryeministri Rama duke përmendur ish presidentin Alfred Moisiu.

Sipas kryeministrit “nëse i besojmë përfaqësuesve të Forcave të armatosura, dhe një detyrë civile të jetës qytetare, ata përgjithësisht nuk zhgënjejnë”, u shpreh zoti Rama.

Pas mbledhjes së kryesisë, ai e priti në zyrë kandidatin për president, duke e falenderuar atë që pranoi propozimin për marrë detyrën e kreut të Shtetit. “Do të jetë nder për ne që t’ju japim votën dhe të zgjidheni zyrtarisht president”, u shpreh kryeministri.

Shqipëri, një gjeneral për president
please wait

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

Nga ana e tij, zoti Begaj deklaroi se “është vlerësim shumë i madh të jesh president i një vendi. Do përpiqem të jem personi i duhur për atë çfarë përfaqëson ky post. Do të jem në lartësinë e detyrës dhe do të jem i përgjegjshëm në kryerjen e saj. Vij nga ushtria dhe mjekësia, të dyja janë profesione të përkushtuara. Nëse nesër do të votohem nga parlamenti, do të jem i lumtur ta kryejë këtë detyrë me nder”, tha zoti Begaj.

Kandidatura e tij, pritet të marrë nesër firmat e deputetëve të grupit parlamentar të cilët janë thirrur të mblidhen në orën 10.00, dy orë para skadimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave.

Tre raundet e para u dogjën pa asnjë kandidat, pasi shumica dhe opozita dështuan në arritjen e një marrëveshjeje për të shkuar drejt një emri konsensual. Në raundin e katërt, socialistët e kanë shumicën e thjeshtë të votave, 70+1 deputet, që nevojiten për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Seanca e votimit do të mbahet nesër pasdite. Përpara se të bëhej publik emri i kandidatit të propozuar nga Partia Socialiste, opozita sërish u shfaq e ndarë, ndonëse të dyja palët bashkohen në faktin se sipas tyre, kjo shumicë nuk e ka legjitimitetin për të zgjedhur e vetme presidentin. Kryetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj deklaroi se nuk do të marrin pjesë në seancë, për të mos legjitimuar kapjen nga ana e shumicës dhe të institucionit të presidentit. Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha, i cili ka marrë drejtimin e PD-së, bëri të ditur se ai dhe deputetë që e mbështesin, do të jenë në sallë për të votuar kundër.

Pak pasi shpalljes së emrit të shefit të Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, grupi parlamentar demokrat që përfaqësohet nga zoti Alibeaj reagoi me tone të forta kritike ndaj propozimit të socialistëve dhe akuza direkte ndaj zotit Begaj. “Asnjë surprizë nga procesi personal i Edi Ramës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ai nxorri sot nga xhepi zarfin me emrin e kandidatit të paracaktuar nga mafia e pronave shtetërore”, thuhet në një deklaratë të publikuar në Facebok.

Gjeneralmajor Bajram Begaj, 55 vjeç, ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998. Edhe karriera e tij në ushtri lidhet në pjesën më të madhe me profesionin e mjekut. Ndërsa përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, në vitin 2020, për një periudhë 3 vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

XS
SM
MD
LG