Lidhje

“Interfax” njofton gjobitjen nga Moska të Radios Evropa e Lirë


Transmetuesi radiofonik Radio Evropa e Lirë, një organizatë mediatike që financohet nga qeveria amerikane, është gjobitur nga autoritetet ruse me 20 milionë rubla ose 325,000 dollarë, lidhur me dështimin për të fshirë ato çka Moska i quan lajme të rreme rreth operacionit të saj ushtarak në Ukrainë. Njoftimi u bë të hënën nga agjencia ruse e lajmeve "Interfax".

Sipas “Interfax-it”, Radio Evropa e Lirë ka refuzuar të fshijë artikujt që përshinin shifra civilësh e personeli ushtarak rus të vrarë, "si dhe deklarata ekstremiste për rusët". Që nga muaji mars Rusia nuk ka dhënë shifra rreth trupave ushtarake të vrarë në radhët e saj.

Radio Evropa e Lirë, e cila ka gjithashtu një faqe lajmesh në internet, ka marrë muajt e fundit një sërë gjobash. Në muajin mars drejtuesit e organizatës mediatike njoftuan pezullimin e veprimtarisë në Rusi, pasi autoritetet atje nisën procedurat për shpalljen e falimentimit të agjencisë e në një kohë kur trysnia e policisë ndaj gazetarëve të saj po intensifikohej. Agjencia amerikane apeloi vendimin për falimentim dhe të mërkurën pritet mbajtja e një seancë dëgjimore mbi këtë çështje.

Drejtuesit e Radios Evropa e Lirë thanë në muajin mars se agjencia ishte vënë në shënjestër të autoriteteve ruse me synimin për ta ndaluar atë që të thotë të vërtetën, por ata shtuan se do të vazhdonin të raportonin për Rusinë, nga jashtë këtij vendi.

Që nga dërgimi i trupave ushtarake të saj në Ukrainë në muajin shkurt, Rusia ka miratuar ligje që mundësojnë dënimin me burg deri në 15 vjet për gazetarët që publikojnë lajme në kundërshtim me linjën e Moskës mbi fushatën e saj ushtarake në Ukrainë.

Rusia e quan sulmin "operacion special ushtarak", që sipas Kremlinit ishte i nevojshëm për të ndalur sikurse thotë, një përpjekje të Perëndimit për të kërcënuar Rusinë duke përdorur Ukrainën, si dhe për të mbrojtur nga persekutimi popullatën rusishtfolësit që jeton atje.

Ukraina dhe aleatët e saj i quajnë këto pretekste të pabaza, me synim pushtimin, e që për pasojë kanë shkaktuar me mijëra të vrarë, kanë rrafshuar qytete dhe kanë detyruar më shumë se 6 milionë njerëz të largohen nga vendi. Të hënën, Moska paralajmëroi organizatat mediatike amerikane se mund t'u hiqet akreditimi nëse gazetarët rusë në Shtetet e Bashkuara, nuk trajtohen mirë, bënë të ditur tre burimeve në dijeni të çështjes.

XS
SM
MD
LG