Lidhje

Kosovë, debate për njohjen ligjore të komunitetit LGBTI


Kosovë, debate për njohjen ligjore të komunitetit LGBTI
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:51 0:00

Kosovë, debate për njohjen ligjore të komunitetit LGBTI

Në Kosovë, Avokati i Popullit u bëri thirrje institucioneve qeveritare dhe ligjvënësve të zbatojnë kushtetutën e vendit kur bëhet fjalë për lejimin e martesave ndërmjet personave të gjinisë së njejtë.

Ai i bëri këto thirrje gjatë një debati me temën “Pranimi dhe njohja ligjore e personave LGBTI”, pjesë e veprimtarive me rastin e “Javës së krenarisë”.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se e drejta për martesë, për jetë familjare dhe për mosdiskriminim, nuk duhet të vihet në diskutim.

“Ato mund të jenë pjesë e debatit vetëm se sa po zbatohen, kush është përgjegjës që nuk i zbaton dhe cilat janë masat që duhet me i marr për t’u zbatuar dhe me i vu para përgjegjësisë ata të cilët nuk i zbatojnë këto të drejta, fund. Ne po flasim për një të drejtë dhe jo detyrim tonin. I vetmi detyrim i jonë është me i pranu këta persona siç janë”, tha ai.

Në muajin mars, parlamenti i Kosovës nuk e miratoi në parim Kodin Civil mes kundërshtimesh dhe debatesh të rrepta për shkak të mospajtimeve me një pjesë të këtij Kodi që synon t’i hap rrugë rregullimit të martesave edhe ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

Projektligji për Kodin Civil pritet të hidhet sërish në parlament gjatë javës së ardhshme, paralajmëroi këshilltarja e ministrisë së Drejtësisë, Nazlije Balaj.

“Jemi munduar që të marrim më të mirën për avancimin e kësaj politike dhe punën përpara për të punuar drejt njohjes së të drejtave të komunitetit LGBI sepse nuk është vetëm çështja e martesës por është më e thelluar në aspektin e të drejtave të njeriut çështja e komunitetit LGBTI”, tha ajo.

Në një nga nenet e Kodit Civil theksohet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Por ky formulim kundërshtohet nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili tha se rregullimi i martesave të së njëjtës gjini me ligj është diskriminim dhe si të tillë ai do ta kundërshtojë duke e dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Vet fakti që rregullohet me ligj të veçantë për personat që janë njerëz si ne por që kanë një orientim tjetër seksual, paraqet diskriminim në vetvete”, tha ai.

Drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, organizatë kjo që merret me të drejtat e komuniteti LGBTI, Arbër Nuhiu, tha se me Kodin Civil aktual nuk zgjidhet asgjë për të drejtat e komunitetit LGBTI.

“Nuk është ideja me e njoft ligjërisht vetëm çështjen e dy personave por është të drejtat që burojnë dhe derivojnë prej asaj martese të ligjshme edhe këtu janë shkeljet përveç shkeljes së drejtës për krijimin e familjes e ki shkeljen tjetër që një qift homoseksual nuk mundet me trashëgu pronën, nuk mundet me nda pasurinë e përbashkët, nuk mundet të marr pensionin e partnerit në rast të vdekjes, nuk mundet me pas sigurim shëndetësor”, tha ai.

Organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT, thonë se gjendja e tyre është përkeqësuar, dhe se po përballen me raste të dhunës në familje dhe të ngacmimeve të dhunshme.

Kosova ka miratuar në vitin 2004 ligjin kundër diskriminimit dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBT thonë se kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat tyre, por ky komunitet ende është i detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.

XS
SM
MD
LG