Lidhje

Kosovë, shënohet 23 vjetori i çlirimit


Kosovë, shënohet 23 vjetori i çlirimit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:08 0:00

Kosovë, shënohet 23 vjetori i çlirimit

23 vjet më parë, trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, hynë në Kosovë më 12 qershor të vitit 1999 prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë kjo cilësohet si dita e lirisë së Kosovës.

Në atë kohë në Kosovë u vendosën rreth 50 mijë ushtarë, ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti. Aktualisht në terren ndodhen rreth 4 mijë trupa, misioni i të cilëve, sipas zyrtarëve të NATO-s, ka të bëjë me një mjedis të sigurt për të gjithë dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes.

Në Prishtinë vlerësohet se NATO-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës, e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.

Kjo ditë sot u shënua me veprimtari të ndryshme. Qytetarët të cilët kishin përjetuar ditën e çlirimit të Kosovës thonë se 12 qershori mbetët një nga ditët më të rëndësishme të vendit.

“Unë për veti në jetën time tashmë i kam bërë 78 vjet nuk e di që kam pasur ndonjë ditë më të hareshme edhe më të lumtur se sa atë ditë. Me shpresë që vijnë ditë të lumtura për të gjithë ne në Kosovë por në vitet e fundit kemi zhgënjime të cilat njeriu nuk ka mundur t’i parashoh që mund të vijnë kësisoj”, tha Nevruz Nushi, banor i Prishtinës.

Jemi të lumtur që është kryer ajo dhe po marrim frymë më lirë edhe pse nuk jemi ende në procedurë të pavarësimit, është dashtë ndoshta në kohë me insistu te palët që të mos zgjas dialogu pakuptimtë, duke u zgjatur dhe nuk të pranon”, tha qytetari i Prishtinës, Xhavit Lokaj.

Në 23 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeminitrin Albin Kurti, përkujtuan të dielën pjesëtarët e rënë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë.

“Jemi mirënjohës kontributit të secilit, gjithë atyre që morën vendimin politik për të ndërhyrë në Kosovë në mënyrë që Kosova të çlirohej dhe gjithë atyre që shërbyen që nga vitit 1999 e tutje në mënyrë që paqja dhe siguria të ruhej në Republikën tonë por edhe gjithë rajonin tonë. Miqësitë të cilat janë ndërtuar me SHBA-të dhe gjitha shtetet anëtare të NATO-s për ne janë të shenjta, ato i ruajmë por mbi të gjitha i kultivojmë edhe më tej sepse Republika jonë edhe në rrugën përpara ka nevojë për miq të tillë, miq me të cilët i ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë, të demokracisë e të paqes”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Andaj, sot, teksa urojmë qytetarët e Republikës dhe shqiptarët mbarë, padyshim që urojmë edhe të gjithë zyrtarët e pjesëtarët e NATO-s në Kosovë dhe jashtë saj, duke dëshmuar me punën tonë të përditshme se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë për ta ndalur gjenocidin serb e për ta shpëtuar popullin shqiptar, ia ka vlejtur shumë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 110 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska.

Njëzet e tri vjet më pas, Kosova dhe Serbia ndodhen në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG