Lidhje

Kalaja Rozafa, monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe historike


Kalaja Rozafa, monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe historike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:19 0:00

Kalaja Rozafa, monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe historike

E ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, Kalaja Rozafa, bashkë me legjendën e murosjes së Rozafës, gruas së njërit prej tre vëllezërve që ndërtuan kalanë, përbën një nga monumentet e trashëgimisë kulturore dhe historike më të vizitueshme në Shqipëri.

Kalaja Rozafa njihet si qendër e fortifikuar që nga periudha e mbretit ilir, Gent. Ajo është një nga 30 kalatë e Shqipërisë, që sjell dëshmi nga shekulli i 3 dhe i 4 para erës sonë e deri në fillimin e shekullit të kaluar, kur kalaja i rezistoi pushtimit të ushtrisë së Malit të Zi.

Dëshmitë historike të Kalasë Rozafa pasqyrohen edhe në muzeun e kalasë, ndërtuar në mjediset e kapitenerisë, nje ndërtesë kjo e periudhës veneciane.

Muzeu i kalasë ka të pasqyruara kryesisht objekte të vendit të fortifikuar, pra të kalasë, po kështu objekte të gjetura poshtë kalasë, që janë të lidhura me kalanë dhe i përkasin qytetit të vjetër si në periudhën romake, ashtu edhe atë osmane apo mesjetare. Përveç këtyre, ka edhe objekte nga dy fortifikimet përrreth Shkodrës. Ka objekte nga Drishti, janë katër objekte ose pesë, dhe nga Komani. Gjithësesi, në muzeun e kalasë është dokumentacioni i plotë për kalanë. Pra, janë të paraqitura gjithçka që dihet dhe është shterru materiali i njohurive arkivore për Kalanë e Shkodrës”, thotë zoti Ndriçim Mlika.

Në një ditë të zakonshme, në mjediset e kalasë gjen grupe turistësh, por edhe vizitorë vendas, mes të cilëve edhe nxënës të shkollave.

Mësuesja Mirela Cenka thotë se, vizitat në vendet e trashëgimisë kulturore dhe historike janë konkretizim i asaj që fëmijët mësojnë në shkollë.

Mësojnë në tekstet shkollore, por në praktikë, kur i prekin, u duken diçka interesante, sepse i kanë prekur vetë, i kanë parë me sytë e tyre si diçka të vjetër, të lashtë, ose si një histori”, thotë ajo.

Edhe mesuesja nga shkolla "Kongresi i Manastirit" në Tiranë, Teuta Biçaku, thotë se është e rëndësishme që çdokush të njihet me trashëgiminë kulturore dhe historike.

Duke qenë se bëjmë edhe histori dhe flasim për qytetet e lashta ilire, dhe jo vetëm ilire, menduam që ti sjellim pikërisht tek kjo kala, që përfaqëson qytetin e lashtë të Shkodrës. Duke qenë se kemi folur edhe për legjendën e Rozafës menduam që të bëjmë një vizitë. Historia besoj përfaqëson një popull, kështuqë është shumë e rëndësishme që të njihen me historinë dhe, pse jo, edhe me vendet ku jetojnë shqiptarët”, thotë ajo.

Përgjegjësi i muzeut të kalasë, Ndriçim Mlika, thotë se pozicioni gjeografik i Kalasë Rozafa i ka dhënë asaj gjatë shekujve një vlerë të rëndësishme strategjike.

Kalaja Rozafa ka bërë konrollin e të gjithë territorit që sot përbën Shqipërinë e Veriut dhe pjesën jugore të Malit të Zi. Është nyje e natyrshme e lëvizjes, shkëmbimeve dhe pikë e mbrojtjes. Të gjitha këto të mbërthyera në një qendër, në Kalanë Rozafa”, thotë ai.

Që nga periudha ilire e deri sot, Kalaja Rozafa mbetet një monument simbol i mbrojtjes dhe qëndresës. Kështu, edhe me fillimin e agresionit rus në Ukrainë, muret e kalasë u ndriçuan me ngjyrat e flamurit të Ukrainës, në shenjë solidariteti me popullin e saj

XS
SM
MD
LG