Lidhje

Panairi i librit “Prishtina 2022”


Panairi i librit “Prishtina 2022”
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:09 0:00

Panairi i librit “Prishtina 2022”

Rreth dy mijë tituj të rinj dhe rreth gjashtë mijë të vjetër, janë pjesë e panairit të librit “Prishtina 2022” i cili po mbahet këto ditë në Prishtinë.

Lexues të shumtë që vizitojnë këtë panair thonë se janë të gëzuar me riorganizimn e tij pas dy vitesh ndërprerje për shkak të pandemisë COVID-19.

“Ka munguar sigurisht, por ishte gjendje e tillë jo vetëm për ne por për të gjithë botën për shkak të pandemisë. Shumë e rëndësishme, asgjë nuk e zëvendëson, libri si një mjet fizik që e prek me dorë, e sheh me sy, e ke në vitrinë pasuri në bibliotekë të shtëpisë, kjo është pasuria më e madhe”, thotë Myftar Miftari, një nga vizitorët e panairit.

Por bashkërenduesi i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, i tha Zërit të Amerikës se pasojat e pandemisë dhe inflacionit aktual kanë zbehur fuqinë blerëse të adhuruesve të librit.

“Kriza ekonomike e periudhës së pandemisë dhe inflacionit e ka bërë të veten që ndonëse interesimi është shumë i madh, jo domosdoshmërisht kjo përkthehet pastaj në mundësinë e njerëzve për t’i blerë librat. Rrjedhimisht ne si shoqëri është detyrimisht e nevojshme të krijojmë mekanizma të tjerë si ripërditësimi i bibliotekave publike do të mundësonte që njerëzit të cilët kanë deshirë të lexojnë ta bëjnë këtë jo domosdoshmërisht duke e blerë librin, por duke e gjetur atë në bibliotekën e lagjes apo në atë të qytetit”, thotë ai.

Përfaqësues të shtëpive botuese nga Kosova e Shqipëria janë të kënaqur me interesimin e lexuesve, ndërsa e vlerësojnë panairin element shumë të rëndësishëm në ruajtjen e traditës së librit.

“E shoh si shumë të rëndësishme sepse po u sjellim njerëzve botimet shqip, tituj që janë përkthyer për herë të parë në gjuhën shqipe, po sjellim diçka më të re. Mirëpo po na shërben edhe neve si botues të lidhemi me njëri tjetrin, të shohim konkurencën dhe të sfidojmë njëri tjetrin më shumë”, tha Diellëza Gojani nga shtëpia botuese Dukagjini.

“Për ne është hera e parë që vijmë në panairin e Prishtinës, kemi punuar shumë që të paraqitemi denjësisht. Vijmë me tituj të rinj që janë të kërkuar dhe këto dy ditë kemi pasur lëvizje, njerëzit kanë qenë shumë të interesuar”, tha Viola Aliaj nga shtëpia botuese Living.

“Panaire duhet të ketë, mendoj që së paku blerësit njoftohen me librin dhe realisht është një dritare e diturisë së librit për të cilën ka nevojë secili prej nesh”, tha Labinot Rexhepi nga shtëpia botuese KOHA.

Zoti Zeneli thotë se këtë vit në panairin me moton “Libri mbron mendjen”, janë mbi 100 pjesëmarrës.

“Janë mbi 100 ekspozues që marrin pjesë, botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora. Po flasim për mijëra botime të reja që janë botuar viteve të fundit e të cilat paraqesin një ofertë e jashtëzakonshme për lexuesin e Kosovës”, tha ai.

Menjëherë pas luftës në Kosovë me 1999 është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë i cili ishte ndër veprimtaritë e para kulturore të historisë së re të Kosovës. Sipas organizatorëve panairin e librit në Prishtinë e vizitojnë çdo vit rreth 40 mijë lexues.

XS
SM
MD
LG