Lidhje

Statusi i kandidatit, KE vendos javën që vjen mbi Ukrainën


Komisioni Evropian pritet të vendosë së shpejti nëse do të rekomandojë që Ukrainës t'i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dega ekzekutive e BE-së, e cila duhet ta marrë unanimisht këtë vendim, ka në plan të debatojë mbi këtë çështje në një takim të nivelit të lartë që mbahet më 23 dhe 24 qershor. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze nga Varshava, disa udhëheqës të BE-së kanë sinjalizuar mbështetjen e tyre për Ukrainën, por të tjerë janë shfaqur ngurrues.

Gjatë vizitës së saj më të fundit në Kiev, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen diskutoi me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy mbi rindërtimin e vendit dhe përparimin e tij drejt Bashkimit Evropian. Blloku po përgatitet të debatojë mbi këtë çështje javën që vjen.

Zonja von der Leyen u tha udhëheqësve të Evropës Lindore këtë muaj se është në interesin strategjik të BE-së dhe një detyrë morale e tij, për ta mirëpritur Ukrainën brenda bllokut prej 27 vendesh anëtare. Por ajo shtoi se Ukraina duhet së pari të përmbushë standardet dhe kërkesat e Bashkimit Evropian.

"Nuk bëhet fjalë për një rrugë më të shkurtër, apo standarde të papritura. Standardet duhet të përmbushen dhe kjo është diçka e vërtetë për të gjithë ne, vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ne e mësojmë çdo ditë se sa e vështirë është t'i ruajmë këto standarde brenda nesh (BE-së)", tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Përpjekjet e hershme të Ukrainës për t'iu afruar Evropës u bënë shkak për nisjen e të ashtuquajturit Revolucioni i Dinjitetit në vitit 2014, i njohur gjithashtu si Revolucioni i Maidanit, pasi në atë kohë udhëheqësi pro-rus i Ukrainës, refuzoi të nënshkruajë një marrëveshje tregtare me BE-në, e cila gëzonte mbështetje të gjerë. Në fund marrëveshja u nënshkrua.

Disa ditë pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, më 24 shkurt, presidenti Volodymyr Zelenskyy i dërgoi BE-së një letër ku kërkonte fillimin e procesit për marrjen e statusit të kandidatit.

Por disa anëtarë të BE-së, mes tyre Holanda, Belgjika, Danimarka dhe Austria, ngurrojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Zëvendës ministrja e parë e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Emine Dzhaparova, thotë për Zërit të Amerikës se ngurrimi është një çështje e brendshme e BE-së.

Më kryesorja është se kjo nuk ka të bëjë me Ukrainën është diçka brenda BE-së, një krizë vizioni, krizë e së ardhmes së BE-së. Ekziston një listë pritjeje për disa vende, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor, që kanë pritur gjatë”.

Maria Mezentseva, e cila kryeson delegacionin ukrainas në Këshillin e Evropës, thotë se Kievi ka plotësuar 63% të kushteve të Marrëveshjes së Asocimit Stabilizimit me BE-në, marrëveshje që shërben për t'i afruar vendet e rajonit me standardet dhe normat e BE-së.

Do të ishte një dritë jeshile për Ukrainën dhe projektin e BE-së, i cili ka nisur prej vitit 1950 me qëllimin për të inkurajuar e ruajtur paqen dhe krijimin e një klubi për paqen. Pra, dritë jeshile për ne, integrimin dhe zhvillimin e mëtejshëm, dhe “karton i kuq” për Putinin, që ai të mos ketë mundësi të thotë: e shihni që nuk jeni të mirëpritur atje (BE)".

Ambasadori amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Michael Carpenter thotë për Zërin e Amerikës se integrimi i Ukrainës drejt Perëndimit është në interesin e Uashingtonit gjithashtu.

"Kjo është mënyra më e mirë që Ukraina të bëhet pjesë e një grupi institucionesh që ruajnë demokracinë e saj, sovranitetin social dhe integritetin e saj territorial si dhe të gjitha atributet e pavarësisë që ne mbështesim dhe i kemi mbështetur prej kohësh brenda Ukrainës", thotë ambasadori amerikan në OSBE Michael Carpenter.

Pasi Ukraina të dalë nga lufta thotë zoti Carpenter, vendi do të rindërtohet për t'u bërë më i fortë, më elastik dhe i bashkuar se më parë.

XS
SM
MD
LG