Në Ditën Botërore të Refugjatëve, Shtetet e Bashkuara vunë në dukje se bota është përfshirë nga kriza humanitare të pashembullta, që kanë shkaktuar numrin më të madh të refugjatëve në histori. Në një deklaratë sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se muajin e kaluar u shënuan 100 milionë njerëz të zhvendosur me forcë në mbarë botën.
Shtetet e Bashkuara udhëheqin në ndihma humanitare, diplomaci dhe rivendosjen e refugjatëve, duke ndihmuar njerëzit kurajozë që i largohen persekutimit, të gjejnë sigurinë dhe të rindërtojnë jetët e tyre.
Tematika e këtij viti e agjensisë së OKB-së për refugjatët në Ditën Botërore të Refugjatëve është "Kushdo. Kudo. Kurdo. Të gjithë kanë të drejtën për siguri". Sekretari Blinken nënvizoi se angazhimi i Shteteve të Bashkuara për të dobëtit në botë është i palëkundur.
Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh i ndihmave humanitare, duke ofruar mbi 13 miliardë dollarë ndihma gjatë vitit 2021. Duke qenë se nevojat janë edhe më të mëdha, Sekretari Blinken i bëri thirrje komunitetit të donatorëve të rrisin kontributin e tyre për refugjatët dhe popullsitë e rrezikuara në mbarë globin.