Lidhje

Hetimet për 6 janarin, dëshmojnë zyrtarët që i rezistuan presionit të ish-Presidentit Trump


UASHINGTON – Komisioni hetimor i Dhomës së Përfaqësuesve për sulmin e 6 janarit dëgjoi sot dëshmitë e punonjësve zgjedhorë dhe zyrtarëve lokalë që refuzuan presionin e ish-Presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2022, megjithëse iu desh të përballeshin në raste të caktuara edhe me sulme frikësuese personale.

Seanca dëgjimore për hetimin e sulmit të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, rifilloi të martën e përqëndruar tek përpjekjet e ish-Presidentit Trump për të zhbërë në nivel lokal fitoren e Joe Biden-it, duke i shtyrë zyrtarët në shtetet kyçe elektorale që të refuzonin fletëvotimet, ose të krijonin një listë alternative elektorësh për paraqitjen përfundimtare të tabelave zgjedhore në Kongres. Presioni ushqehej nga pretendimet false të presidentit të mundur për manipulime zgjedhore, të cilat komisioni thotë se udhëhoqën drejtpërsëdrejti tek trazirat në Kapitol.

Nga e majta, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Arizonas, Rusty Bowers, Sekretari i Shtetit i Xhorxhias, Brad Raffensperger dhe Zëvendës Sekretari i Shtetit i Xhorxhias, Gabriel Sterling gjatë seancës dëgjimore në Kongres (21 qershor 2022)
Nga e majta, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Arizonas, Rusty Bowers, Sekretari i Shtetit i Xhorxhias, Brad Raffensperger dhe Zëvendës Sekretari i Shtetit i Xhorxhias, Gabriel Sterling gjatë seancës dëgjimore në Kongres (21 qershor 2022)

Sekretari i Shtetit i Xhorxhias, Brad Raffensperger, dëshmoi për telefonatën e marrë nga Presidenti Trump ku iu kërkua “të gjente 11,780 vota” që do të përmbysnin rezultatin në këtë shtet dhe do t’ia mohonin fitoren zotit Biden.

Zoti Raffensberger, së bashku me zëvendësin e tij Gabe Sterling dhe me kryetarin republikan të dhomës së përfaqësuesve të shtetit Xhorxhia, Rusty Bowers, janë dëshmitarët kryesorë, së bashku me Wandrea “Shay” Moss, ish-punonjëse zgjedhore në Xhorxhia, si dhe me nënën e saj, të cilat kanë thënë se janë përballur me një përndjekje të atillë publike nga aleatët e ish-Presidentit Trump, saqë nuk kanë qenë në gjendje të vazhdojnë një jetë normale.

"Morëm ... mbi 20 mijë mesazhe me postën elektronike dhe dhjetëra mijëra mesazhe zanore dhe tekste, të cilat mbushën zyrat tona dhe ne nuk ishim në gjendje të punonim, të paktën të komunikonim", tha Rusty Bowers, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Arizonës.

Ai tha se ngacmimet kanë vazhduar, me demonstrata në shtëpinë e tij, konfrontime me fqinjët dhe kërcënime e fyerje të tjera që vazhduan edhe kur vajza e tij ishte e sëmurë rëndë.

"Ishte shqetësuese, ishte shqetësuese", dëshmoi i prekur zoti Bowers, i cili kishte bërë fushatë për zotin Trump në vitin 2020 dhe tha se donte që ai të rizgjidhej.

Zoti Bowers përshkroi bisedat me ish-Presidentin Trump dhe ndihmësit e tij të ngushtë, përfshirë avokatin e tij personal Rudy Giuliani dhe këshilltarin John Eastman, të cilët i kërkuan zotit Bowers të refuzonte rezultatet e zgjedhjeve.

"Ju po më kërkoni të bëj diçka kundër betimit tim dhe unë nuk do ta thyej betimin tim", tha zoti Bowers, duke rrëfyer një bisedë me zotin Giuliani.

Rusty Bowers
Rusty Bowers

Kjo dëgjesë publike, e katërta brenda këtij muaji, vjen pas një hetimi njëvjeçar të përpjekjeve të paprecedenta të ish-Presidentit Trump për të qëndruar në pushtet, të një skeme të gjerë që kryetari i komisionit hetimor për 6 janarin e ka krahasuar me “një përpjekje për grusht shteti”.

Seanca e së martës përqëndrohet tek aspekti se si ish-Presidentit Trump iu tha në mënyrë të përsëritur se fushata e tij e presionit mund të shkaktonte dhunë ndaj zyrtarëve vendorë dhe familjeve të tyre, por se ai vazhdoi sidoqoftë ta ushtrojë atë, tha një nga ndihmësat e komisionit hetimor. Seanca nxjerr gjithashtu në pah se pasojat nga veprimet e ish-Presidentit Trump vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, ndërsa zyrtarët lokalë përballen me ngacmime të vazhdueshme publike dhe sfidantët politikë përpiqen t’u marrin vendet e punës.

Megjithëse komisioni hetimor nuk mundet të ngrejë akuza penale ndaj ish-Presidentit Trump, Departamenti i Drejtësisë po ndjek nga afër punimet e komisionit. Veprimet e ish-Presidentit Trump në shtetin Xhorxhia janë gjithashtu subjekt i hetimeve të një jurie të madhe, në kuadrin e të cilave prokurori i zonës pritet të njoftojë gjetjet e tij brenda këtij viti.

"Do të tregojmë gjatë seancës se cili ishte roli i presidentit në përpjekjen për t'i bërë shtetet që të emëronin një listë alternative të elektorëve, se si ajo skemë varej fillimisht nga shpresat se legjislaturat do të mblidheshin dhe do të jepnin bekimin", tha të hënën Ligjvënësi demokrat Adam Schiff, për gazetën “Los Angeles Times”.

Ligjvënësi Schiff, i cili do të drejtojë pjesën më të madhe të seancës së të martës, tha se seanca do të shqyrtojë gjithashtu "rolin intim" të shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, në komplotin për të ushtruar presion ndaj ligjvënësve të shtetit Xhorxhia dhe zyrtarëve zgjedhorë.

Ligjvënësi Adam Schiff
Ligjvënësi Adam Schiff

Ish-Presidenti Trump u mbrojt në mediat sociale, duke e përshkruar telefonatën e tij si “perfekte”, në mënyrë të ngjashme me mënyrën se si përshkroi telefonatën e tij të vitit 2020 me Presidentin e Ukrainës Volodomyr Zelenskyy, që rezultoi në proces hetimor për ngritje akuzash për shkarkimin e tij.

Zoti Raffensperger, zyrtari më i lartë zgjedhor i Xhorxhias, hodhi poshtë kërkesën e ish-Presidentit Trump që ai "të gjente" vota të mjaftueshme për të përmbysur fitoren e zotit Biden në këtë shtet - një kërkesë e bërë gjatë një telefonate të regjistruar disa ditë përpara sulmit të 6 janarit.

Gjatë telefonatës, ish-Presidenti Trump citoi vazhdimisht pretendime të pavërtetuara për manipulime dhe përmendi mundësinë se do të ishte një "shkeljeje penale" nëse zyrtarët e Xhorxhias nuk e ndryshonin numërimin e votave. Shteti Xhorxhia kishte numëruar votat tre herë përpara se të certifikonte fitoren e zotit Biden me një diferencë prej 11,779 votash.

Dëshmia publike nga zoti Raffensperger vjen disa javë pasi ai u shfaq përpara një jurie të madhe speciale në Xhorxhia që po heton nëse ish-Presidenti Trump dhe të tjerë u përpoqën në mënyrë të paligjshme të ndërhynin në zgjedhjet në këtë shtet në vitin 2020, dhe pasi zoti Raffensperger mundi një sfidant të mbështetur nga ish-Presidenti Trump në zgjedhjet paraprake të muajit të kaluar.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Arizonas, Rusty Bowers, Sekretari i Shtetit i Xhorxhias, Brad Raffensperger dhe Zëvendës Sekretari i Shtetit i Xhorxhias, Gabriel Sterling gjatë seancës dëgjimore në Kongres (21 qershor 2022)
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Arizonas, Rusty Bowers, Sekretari i Shtetit i Xhorxhias, Brad Raffensperger dhe Zëvendës Sekretari i Shtetit i Xhorxhias, Gabriel Sterling gjatë seancës dëgjimore në Kongres (21 qershor 2022)

Zoti Sterling, shefi i operacioneve për zotin Raffensperger, u bë i mirënjohur gjatë numërimit dhe rinumërimit të gjatë në Xhorxhia, me përditësimet e tij të rregullta që shpesh transmetoheshin drejtpërdrejt për një komb të ndarë politikisht. Në një moment, republikani me ton të butë u bëri thirrje amerikanëve që të ulnin tonin e retorikës së nxehtë.

"Kërcënime me vdekje, kërcënime fizike, frikësim - është e tepërt, nuk është e drejtë", tha ai.

Zoti Bowers pritet të flasë për presionin me të cilin u përball për të përmbysur rezultatet në Arizona – kërkesat nga këshilltarët e ish-Presidentit Trump që udhëheqësi i shtetit republikan të hënën i quajti “të papjekura”.

Në një intervistë me agjensinë e lajmeve Associated Press pasi mbërriti në Uashington përpara seancës dëgjimore, zoti Bowers tha se priste të pyetej për një telefonatë me ish-Presidentin Trump, gjatë së cilës avokati Rudy Giuliani hodhi një ide për të zëvendësuar elektorët e Arizonës me persona të tjerë që do të votonin për ish-Presidentin Trump.

Zoti Bowers zbuloi gjithashtu një telefonatë të dytë me ish-Presidentin Trump në dhjetor 2020, për të cilën ai tha se ishte kryesisht bisedë e përgjithshme, megjithëse ish-Presidenti Trump iu referua edhe bisedës së tyre të parë.

Zonja Moss, e cila punoi për departamentin e zgjedhjeve të Qarkut Fulton që nga viti 2012, dhe nëna e saj, Ruby Freeman, një punonjëse e përkohshme zgjedhore, ngritën një padi për shpifje në dhjetor 2021. Zonja Moss pretendoi se gazeta konservatore “One America News Network” dhe zoti Giuliani përhapën në mënyrë të rreme pretendime se ajo dhe nëna e saj u përfshinë në manipulimin e votave gjatë zgjedhjeve. Çështja gjyqësore në fjalë është pushuar me marrëveshje.

Wandrea "Shaye" Moss kthehet nga nëna e saj Ruby Freeman që përshëndet gjatë seancës (21 qershor 2022)
Wandrea "Shaye" Moss kthehet nga nëna e saj Ruby Freeman që përshëndet gjatë seancës (21 qershor 2022)

Si zoti Bowers ashtu edhe zonja Moss, së bashku me Ligjvënësen republikane Liz Cheney, zëvendëskryetare e komisionit hetimor, ishin ndër marrësit e çmimit të këtij viti John F. Kennedy, "për guximin e tyre për të ruajtur dhe mbrojtur demokracinë".

Komisioni hetimor gjithashtu planifikon të zbardhë skemën komplekse të "elektorëve të rremë", e cila synonte që përfaqësuesit në shtatë shtete kyçe elektorale – në Arizona, Xhorxhia, Miçigan, Pensilvani, Uiskonsin, Nevada dhe Nju Meksiko - të nënshkruanin certifikime të rreme që shpallnin fitues në shtetet e tyre zotin Trump, dhe jo zotin Biden.

Profesori konservator i jurisprudencës, John Eastman, njëkohësisht edhe avokat i ish-Presidentit Trump, e nxiti idenë e elektorëve të rremë në javët pas zgjedhjeve. Ish-Presidenti Trump dhe zoti Eastman mblodhën qindra elektorë së bashku në një lidhje më 2 janar 2021, dhe i inkurajuan ata të dërgonin tabulate alternative nga shtetet e tyre, ku ekipi i ish-Presidentit Trump po pretendonte se kishte manipulime.

Ideja e elektorëve të rremë u krijua për të paraqitur një sfidë më 6 janar 2021, kur Kongresi u mblodh në seancë të përbashkët, me ish-Nënpresidentin Mike Pence që kryesonte një proces që zakonisht është një funksion ceremonial për të pranuar votat e tabulateve të shteteve. Por përpjekja dështoi, pasi zoti Pence refuzoi kërkesat e përsëritura të ish-Presidentit Trump që ai thjesht të ndalte certifikimin e fitores së zotit Biden - një fuqi që ai besonte se nuk e kishte në funksionin e tij ceremonial.

Të paktën 20 persona në lidhje me skemën e elektorëve të rremë u thirrën nga komisioni hetimor i Dhomës së Përfaqësuesve. Komisioni thotë se do të tregojë gjithashtu se ka mbledhur prova të mjaftueshme, nga më shumë se 1 mijë intervista dhe dhjetëra mijëra dokumenta, për të treguar lidhjen e drejtpërdrejtë të përpjekjeve të ndryshme për të përmbysur zgjedhjet me ish-Presidentin Trump.

XS
SM
MD
LG