Lidhje

Trysnia e Trumpit mbi Departamentin e Drejtësisë


An image of former President Donald Trump phoning into a Fox News interview is shown on a screen, as the House select committee investigating the Jan. 6 attack on the U.S. Capitol continues to reveal its findings of a yearlong investigation, June 23, 2022

Në seancën e pestë publike që shqyrtoi sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol, ligjvënësit detajuan se si ish-Presidenti Donald Trump ushtroi trysni ndaj zyrtarëve më të lartë të zbatimit të ligjit në vend për të shpallur të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve të 2020. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, këto pretendime të rreme për zgjedhjet u shtynë gjithashtu nga anëtarë republikanë të Kongresit, të cilët më vonë kërkuan falje.

Trysnia e ish presidentit Trump mbi Departamentin e Drejtësisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00

Për dy javë, hetuesit e Kongresit kanë argumentuar se përpjekjet e ish-presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 filluan shumë përpara datës 6 janar…

Ata u përqëndruan të enjten në përpjekjet e tij për të frikësuar zyrtarët më të lartë të zbatimit të ligjit, duke ushtruar trysni ndaj prokurorëve të përgjithshëm për të përmbysur rezultatet dhe duke kërcënuar me zëvendësim të atij që refuzoi ta bëjë një gjë të tillë….

“Donald Trump nuk donte vetëm që Departamenti i Drejtësisë të hetonte. Ai donte që Departamenti i Drejtësisë të ndihmonte në legjitimimin e gënjeshtrave të tij, për t'i quajtur në thelb zgjedhjet e manipuluara”, tha ligjvënësi demokrat Bennie Thompson.

Dy republikanë që votuan për të fajësuar Trumpin për rolin e tij në sulmin e dhunshëm argumentuan se presidenti e dinte se po nxirrte pretendime të rreme.

“Donald Trumpi e dinte se kjo ishte gënjeshtër. Departamenti i Drejtësisë e kishte informuar tashmë presidentin e Shteteve të Bashkuara, në mënyrë të përsëritur, se hetimet e bëra prej tyre nuk kishin gjetur prova të mjaftueshme për manipulim që mund të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020”, tha ligjvënësja republikane Liz Cheney.

Zoti Trump e ka kritikuar hetimin si të padrejtë dhe shumica e republikanëve të Kongresit thonë se i shohin rezultatet e hetimit të komisionit, si të paligjshme. Por tre zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë që shërbyen në ditët e fundit të administratës Trump dëshmuan për një fushatë të vazhdueshme e të përditshme trysnie nga ana e presidentit.

"Ajo që po ju kërkoj të bëni është thjesht të thoni se ishin të manipuluara dhe ta lini pjesën tjetër tek unë dhe ligjvënësitt republikanë".

Trysnia arriti kulmin tre ditë përpara sulmit në Kapitol, kur zoti Trump u përball me Prokurorin e Përgjithshëm në detyrë Jeffrey Rosen, duke e kërcënuar se do ta zëvendësonte atë me Jeffrey Clark, një zyrtar i rangut më të ulët që mbështeste pretendimet e tij të rreme.

“Tema qëndrore ishte pakënaqësia e tij për atë që kishte bërë Departamenti i Drejtësisë për të hetuar mashtrimin zgjedhor. Departamenti i Drejtësisë i refuzoi të gjitha ato kërkesa, sepse ne nuk mendonim se ato ishin të përshtatshme, bazuar në fakte”, thotë ish Prokurori i Përgjithshëm në detyrë Jeffrey Rosen.

Ligjvënësit thonë se këta zyrtarë mbrojtën demokracinë amerikane duke mos rënë dakord me zotin Trump.

“Ai ishte i gatshëm të sakrifikonte republikën tonë për të zgjatur presidencën e tij. Nuk mund të imagjinoj asnjë akt më të pandershëm nga një president. Ne i kemi një borxh të madh mirënjohjeje këtyre njerëzve që dëgjuam sot. Udhëheqës të vërtetë që mbrojnë drejtësinë”, tha ligjvënësi republikan Adam Kinzinger.

Një informacion i ri i zbuluar në seancë tregoi gjithashtu se 6 aleatë republikanë të zotit Trump në Kongres kërkuan t’u sigurohej falje presidenciale, pasi votuan për bërë të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve.

“E vetmja arsye për të kërkuar falje është në se mendon se ke kryer një krim”, tha ligjvënësi republikan Adam Kinzinger.

Bazuar në gjetjet e tij, komisioni i 6 janarit mund t'i rekomandojë Departamentit të Drejtësisë ndjekje penale. Seancat dëgjimore pritet të rifillojnë në korrik, pas një pushimi njëjavor.

XS
SM
MD
LG